Nga Stephen Collinson, CNN
Presidenti Donald Trump është i dëshpëruar që të mos zhvillojë një luftë me Iranin.
Por a mund ta shmangë vërtet ai këtë?
Argumentet bindëse të sigurisë kombëtare dhe konsideratat politike të brendshme nënkuptojnë se ka kuptim të ndalemi përpara operacioneve ofensive të drejtpërdrejta të SHBA-së në konfldiktin e frikshëm, që Izraeli e përshkruan si çështje të ruajtjes së ekzistencës së vet.
Por forca të fuqishme mund ta thithin Amerikën më thellë në konflikt sesa roli i saj aktual në ndihmën për të mbrojtur Izraelin nga shiu vdekjeprurës i raketave dhe dronëve të Iranit.
CNN raportoi se gjatë fundjavës, Trump hodhi poshtë një plan izraelit për të vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, sipas dy burimeve.
Por një pjesë e kësaj është jashtë kontrollit të Trumpit.
Nëse regjimi i dërrmuar i Iranit vendos se nuk ka asgjë për të humbur dhe sulmon bazat dhe personelin amerikan në rajon, ose objektivat amerikane në të gjithë globin, Uashingtoni do të detyrohet të përgjigjet ashpër për të ruajtur besueshmërinë dhe frenimin. Një mundësi tjetër është që Teherani mund të krijojë presion mbi Trumpin për të frenuar Izraelin, duke sulmuar anijet ndërkombëtare në Gjirin Persik ose Detin e Kuq dhe të sjellë një krizë globale energjetike.
Presioni po rritet gjithashtu mbi Trumpin nga brenda partisë së tij për veprime që vetëm Shtetet e Bashkuara mund t’i kryejnë - një mision për të shkatërruar vendodhjen nëntokësore të Iranit në Fordoë, e cila besohet se është përtej aftësive ajrore të Izraelit. Logjika e një sulmi të tillë do të ishte se Irani tani është në mënyrë unike i prekshëm dhe një shans më i mirë mund të mos vijë kurrë, që SHBA-të të shkatërrojnë mundësinë e një arme bërthamore iraniane.
Pse Trump mund të shohë një arsye për t'u bashkuar me konfliktin
Ekipi i Shtëpisë së Bardhë i CNN ka raportuar se presidenti është thellësisht skeptic, në lidhje me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në këtë konflikt. Një veprim i tillë do të ishte i mbushur me rrezik. Mund të çojë në zgjerimin e konfliktit përtej palëve aktuale ndërluftuese dhe të çojë në një luftë të mundimshme pa fund, pa një qëllim të qartë përfundimtar.
Nëse ka një mësim nga fillimi i shekullit të 21-të, ai është se objektivat e luftës dhe analizat e Lindjes së Mesme të hartuara në Uashington, pothuajse gjithmonë rezultojnë katastrofikisht të gabuara. Ideja se regjimi brutal klerikal i Iranit mund të bjerë, mund të jetë tërheqëse. Por rrëzimi i Sadam Huseinit dhe lufta civile në Siri, tregojnë se kombet e Lindjes së Mesme mund të copëtohen thjesht kur hapen vakumet e pushtetit.
Një ndërhyrje e SHBA-së do të zgjeronte gjithashtu tensionet e thella në bazën politike të Trump dhe do të çmontonte një parim thelbësor të lëvizjes së tij "Amerika e para": që Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë larg moçaleve të huaja, pas më shumë se një dekade dhimbjesh në Irak dhe Afganistan. Në fund të fundit, kanë kaluar vetëm disa javë, që kur presidenti përcaktoi një vizion të ri për Lindjen e Mesme dhe përfshirjen amerikane.
“Të ashtuquajturit ndërtues kombesh, shkatërruan shumë më tepër kombe sesa ndërtuan — dhe ndërhyrësit po ndërhynin në shoqëri komplekse, që as vetë nuk i kuptonin”, tha Trump në një fjalim të rëndësishëm në Arabinë Saudite në maj. “Një brez i ri udhëheqësish po tejkalon konfliktet e lashta dhe përçarjet e lodhura të së kaluarës, dhe po krijon një të ardhme ku Lindja e Mesme përcaktohet nga tregtia, jo nga kaosi; ku eksporton teknologji, jo terrorizëm; dhe ku njerëz të kombeve, feve dhe besimeve të ndryshme po ndërtojnë qytete së bashku — pa bombarduar njëri-tjetrin, duke e zhdukur atë.”
Një luftë e re amerikane është krejtësisht e papajtueshme me një vizion të tillë. Megjithatë, kundërshtarët në Uashington mund të argumentojnë se Trump ka një mundësi unike për të hequr pengesën kryesore për vizionin e tij, duke zhdukur rrugën e Iranit drejt një arme bërthamore ose edhe duke kontribuar në rrëzimin e udhëheqjes së tij teokratike.
Presidentët shpesh kanë shkruar në kujtimet e tyre rreth zgjedhjeve të rëndësishme dhe të dhimbshme për të dërguar trupa në luftëra të huaja. Megjithatë, ndonjëherë, një vendim për të mos u nxituar, edhe kur duket joshes, kërkon po aq shumë guxim.
Dilemat si ajo me të cilën përballet tani Trump zakonisht vijnë me rezultate negative, në të dyja rastet.
Republikanët argumentojnë se SHBA-të mund të mos kenë zgjidhje tjetër, veçse të përfshihen.
Acarimi politik tashmë po rritet mbi presidentin që të largohet nga pozita, edhe pse Shtetet e Bashkuara e bënë të qartë se vendimi i Izraelit për të nisur sulme të mëdha kundër Iranit është i vetëm dhe se forcat e Uashingtonit nuk kanë asnjë përfshirje në ofensivë.
Një nga faktorët ndërlikues për Trumpin është se, ndërsa sulmet e Izraelit duket se kanë qenë të suksesshme në eliminimin e udhëheqësve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve bërthamorë, mbetet e paqartë nëse Izraeli ka kapacitetin për të zhdukur vetë programin bërthamor të Iranit.
Ish-nënpresidenti Mike Pence tha të dielën në emisionin “Face the Nation”, se nëse sulmi i Izraelit nuk e bind në një farë mënyre Iranin të bëjë lëshime të mëdha në përpjekjen diplomatike të Trump për t'i dhënë fund programit të tij bërthamor, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitura të bashkohen në konflikt.
“Tani, nëse iranianët duan të tërhiqen, mendoj se presidenti e ka bërë të qartë se është i gatshëm të hyjë në negociata. Por nuk mund të ketë asnjë program bërthamor të asnjë lloji, asnjë program pasurimi të asnjë lloji”, tha Pence për Dana Bash të CNN. “Dhe në fund të fundit, nëse Izraeli ka nevojë për ndihmën tonë për të siguruar që programi bërthamor iranian të shkatërrohet një herë e përgjithmonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë të përgatitura ta bëjnë këtë, sepse kjo ka të bëjë me mbrojtjen e aleatit tonë më të çmuar.”
Senatori republikan Lindsey Graham argumentoi se rezultati më i keq i mundshëm i një konflikti midis Izraelit dhe Iranit, do të ishte që aftësitë bërthamore të Teheranit - të cilat Teherani i ka mohuar prej kohësh se janë të dizajnuara për të ndërtuar një bombë - të mbeten.
“Nëse diplomacia nuk ka sukses dhe na mbetet mundësia e forcës, do t’i kërkoja Presidentit Trump të bëjë gjithçka për t’u siguruar që, kur të mbarojë ky operacion, nuk do të ketë asgjë të mbetur në Iran, në lidhje me programin e tyre bërthamor”, tha Graham, një aleat kyç i Trump, në emisionin “Face the Nation” të CBS. “Nëse kjo do të thotë të sigurosh bomba, siguro bomba. Nëse kjo do të thotë të fluturosh me Izraelin, fluturo me Izraelin.”
Trump rrezikon një reagim të ashpër brenda vendit
Këto llogaritje janë mjaft të vështira. Por Trump përballet gjithashtu me një skenar kompleks politik të brendshëm, që është rezultat i transformimit të Partisë Republikane nga ana e tij, në një parti më izolacioniste. Kjo do të thotë se ai përballet me një skenar politik të ndryshëm nga ai para Presidentit George Ë. Bush kur ai shkoi në Afganistan dhe Irak.
Disa nga zërat më të zhurmshëm në të djathtë, përfshirë Tucker Carlson dhe Charlie Kirk, e kanë paralajmëruar tashmë Trumpin kundër thyerjes së besimit me bazën MAGA, duke u zhytur në një luftë të re në Lindjen e Mesme. Presidenti ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i kujdesshëm me koalicionin e tij kompleks. Ai ngurron të ndërmarrë hapa, që i bezdisin votuesit e tij. Një shembull ishte kthesa e tij javën e kaluar në ndalimin e operacioneve të deportimit kundër punëtorëve bujqësorë - pjesërisht për të shmangur zemërimin e fermerëve dhe punëdhënësve në zonat rurale ku ai merr pjesën më të madhe të mbështetjes së tij.
Preokupimi i Trumpit me kostot politike, ishte i dukshëm në një bisedë me gazetarin Michael Scherer të The Atlantic të dielën.
“Epo, duke pasur parasysh që unë jam ai që zhvilloi ‘Amerika e para’, dhe duke pasur parasysh që termi nuk u përdor derisa erdha unë, mendoj se unë jam ai që vendos për këtë”, i tha Trump Scherer. “Për ata njerëz që thonë se duan paqe - nuk mund të kesh paqe nëse Irani ka një armë bërthamore. Pra, për të gjithë ata njerëz të mrekullueshëm që nuk duan të bëjnë asgjë në lidhje me Iranin që ka një armë bërthamore - kjo nuk është paqe.”
Presidenti dukej sikur po provonte një argument për bazën e tij që do të duhej ta përdorte, nëse do t'i bashkohej veprimit izraelit. Është interesante ta shohësh atë duke u përballur me një enigmë midis argumenteve të sigurisë kombëtare që do të përballeshin me çdo president konvencional amerikan dhe sektorëve të lëvizjes politike që e sollën në pushtet. Ai nuk duket ende plotësisht i bindur nga argumenti i tij, ndoshta sepse, siç theksoi Kirk, votuesit më të rinj meshkuj që u mblodhën në fushatën e tij të rizgjedhjes vitin e kaluar, nuk duan të bashkohen me një "kënetë" në Lindjen e Mesme.
Politika e jashtme e Trumpit po shkatërrohet
Vështirë se kjo është ajo ku Trump shpresonte të ishte në fillim të presidencës së tij - një arsye pse ai u duk kaq optimist edhe kohët e fundit, si këtë muaj, në lidhje me përpjekjen e tij për ta detyruar Iranin të binte dakord për një marrëveshje për t'i dhënë fund paqësisht programit të tij bërthamor.
Trump e nisi mandatin e tij të dytë duke u zotuar të jetë paqebërës.
Por pesë muaj më vonë, dy luftëra të mëdha që shpërthyen kur ai mori detyrën janë më të këqija dhe konflikti i ri i rrezikshëm me Iranin, premton provën më të madhe të përmbajtjes së tipit “Amerika e para”.
Autoriteti i Trump është shkelur nga tre udhëheqës kryesorë: Presidenti rus Vladimir Putin, Presidenti kinez Xi Jinping dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Dhe qasja e tij e "artit të marrëveshjes" ndaj politikës së jashtme, është një dështim.
Putini i ka injoruar përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Xi e ka detyruar dy herë udhëheqësin amerikan të tërhiqet nga lufta e tyre tregtare. Dhe vendimi i Netanyahut për të nisur konfliktin me Iranin, të cilin presidentët amerikanë kanë kërkuar prej kohësh ta shmangin, duket se e ka prishur diplomacinë e Trumpit me Iranin - dhe bazohet në një bast që asnjë president amerikan nuk mund ta përballonte për të mos e mbrojtur Izraelin, edhe nëse nuk ishte dakord me vendimet e tij.
Në vend, presidentët duhet të krijojnë besim publik për vendimet e tyre për të shkuar në luftë. Këtu, Trump mund të ketë vështirësi pasi ka armiqësuar miliona njerëz me qasjen e tij të ashpër ndaj punëve të brendshme. Kjo përfshin vendimin e tij për të vendosur ushtrinë në Kaliforni, mes protestave kundër ICE javën e kaluar dhe paralajmërimeve se ai planifikon të përdorë trupa kudo.
Mandati i dytë i Trumpit e ka hedhur poshtë tashmë idenë se pesha e personalitetit të tij, respekti i supozuar për të midis kundërshtarëve të huaj dhe ajo që ndihmësit e shohin si një aftësi pothuajse magjike për të bërë marrëveshje do ta ndryshonin botën. Për shembull, nxitimi i premtuar i marrëveshjeve tregtare të tronditura nga tarifat e tij nuk është materializuar.
Përpjekjet e para paqeruajtëse të Trumpit — në Gaza — dështuan. Qindra mijëra palestinezë tani po përballen me urinë, ndërsa bombardimi i Rripit të Gazës nga Izraeli, i shkaktuar nga sulmet e Hamasit në tetor 2023, vazhdon.
Përpjekja e presidentit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk çoi askund. Konflikti u zgjerua. Ai u përhap në Rusi me bastisje ukrainase në bazat ruse, që e shtynë Putinin të niste sulme të egra ndaj civilëve në Kiev dhe gjetkë. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump po frustrohej me udhëheqësin rus dhe vendosi një afat dy-javor për të shqyrtuar sanksione më të ashpra ndaj Moskës. Por asgjë nuk e zbuloi natyrën qesharake të këtij shpjegimi dhe qëndrimin e njëanshëm të Trump ndaj luftës, më shumë sesa emocioni i tij të shtunën që Putini e kishte telefonuar për t'i uruar ditëlindjen.
Ngjarjet kanë tejkaluar hezitimin e Trumpit për t'u përfshirë jashtë vendit dhe kanë ekspozuar cekëtinë e aftësisë së tij si burrë shteti. Krizat që përkeqësohen mund të ofrojnë një parapamje të një bote që bëhet më e paqëndrueshme, në mungesë të një lidershipi të qëndrueshëm dhe konstant amerikan.
Mbështetja gjithnjë e më e brishtë politike e brendshme e Trump dhe autoriteti i tij tashmë i dyshimtë ndërkombëtarisht, vetëm sa do t’i ndërlikojnë dilemat e tij. Në shumë mënyra, konflikti i Iranit është lloji i krizës ndërkombëtare pa përgjigje të lehta, që ai e shmangu në mandatin e tij të parë.
Tani kjo mund të përcaktojë të dytën e tij./ CNN - Syri.Net.
© SYRI.net