Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi gjatë një interviste të drejtpërdrejtë me Fox News se është “plotësisht i koordinuar” me presidentin amerikan Donald Trump, duke e përshkruar këtë marrëdhënie si vendimtare në kohën e tensioneve me Iranin.
Edhe pse Trump ka deklaruar më herët se SHBA “nuk është e përfshirë në konfliktin” aktual, Netanyahu theksoi se komunikimi mes tyre është i ngushtë.
I pyetur nëse i ka kërkuar Trump-it armë të avancuara të tipit “bunker buster”, bomba të afta për të shkatërruar objektiva nëntokësore, Netanyahu tha: “Nuk do të hyj në diskutimet që kam pasur me presidentin,”, por shtoi: “Vendimet e tij janë të tijat.”
Netanyahu konfirmoi se Izraeli ka ndërmarrë goditje kundër objektivave bërthamore iraniane, duke përfshirë edhe një central në Isfahan. Kjo është një nga zonat kyçe për zhvillimin e programit të pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit.
Gazetari Bret Baier e shtyu më tej bisedën, duke pyetur për aftësinë e Izraelit për të goditur objektiva bërthamore të fshehura në thellësi të tokës.
Në përgjigje, Netanyahu tha: “Kemi disa lepuj në mëngë… dhe nuk mendoj se duhet të hyj në detaje.”
© SYRI.net