Ministri i Jashtëm i Iranit i bën thirrje SHBA-së të dënojë sulmet izraelite

Ministri i Jashtëm i Iranit i bën thirrje SHBA-së të dënojë sulmet izraelite

10:03, 15/06/2025

Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyyed Abbas Araghchi, ka deklaruar se "Amerika është bashkëpunëtore" në sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane, dhe i ka kërkuar Uashingtonit të marrë përgjegjësi për këtë situatë.

Në një deklaratë publike, BBC raporton se Araghchi i bëri thirrje SHBA-së të dënojë zyrtarisht sulmet e Izraelit, duke theksuar se ato nuk do të kishin ndodhur pa miratimin dhe mbështetjen e SHBA-së.

"Kemi marrë mesazhe përmes kanaleve të ndryshme që SHBA nuk ka qenë e përfshirë në këtë sulm, por nuk e besojmë këtë pretendim dhe kemi prova që e kundërshtojnë atë", shkroi ai në një postim në platformën Telegram.

Araghchi shtoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve bërthamore me SHBA-në mund të kishte hapur rrugën për një marrëveshje, por akuzoi Izraelin për sabotim të procesit të dialogut diplomatik.

Tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit janë në rritje të ndjeshme, ndërsa përplasja ushtarake mes Iranit dhe Izraelit po zgjerohet me pasoja rajonale të paparashikueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco