Deputetja demokrate nga Minnesota, Melissa Hortman, u vra në orët e para të së shtunës, më 14 qershor, në një sulm të papritur në banesën e saj, së bashku me bashkëshortin, Mark Hortman.
Ndërkohë, senatori John Hoffman dhe bashkëshortja e tij mbetën të plagosur rëndë pas një sulmi të ngjashëm në shtëpinë e tyre. Sipas guvernatorit Tim Ëalz, autori i sulmeve fillimisht shkoi në rezidencën e familjes Hoffman dhe më pas u drejtua drejt banesës së Hortman.
Kush ishte Melissa Hortman?
Melissa Hortman ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokrate në shtetin e Minnesota-s, me një karrierë të gjatë dhe të respektuar në politikë. Ajo shërbeu si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Minnesota-s nga viti 2019 deri në janar të vitit 2025.
E lindur në vitin 1970, Hortman ishte 55 vjeçe dhe përfaqësonte distriktin 34B, që përfshinte qytetet Brooklyn Park, Champlin dhe Coon Rapids, si dhe pjesë të qarqeve Anoka dhe Hennepin në zonën veriore të qyteteve të binjakëzuara të shtetit.
Ajo kishte përfunduar studimet universitare në shkencat politike dhe filozofi në Universitetin e Bostonit, ndërsa diplomën Juris Doctor e mori nga Shkolla e Drejtësisë e Universitetit të Minnesota-s.
Me profesion juriste, Hortman u zgjodh për herë të parë në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2004.
Melissa Hortman ishte e martuar me Mark Hortman dhe ishte nënë e dy fëmijëve, Colin dhe Sophie.
© SYRI.net