Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit njoftoi fillimin e arrestimeve masive pasi protestat kundër bastisjeve të imigracionit shpërthyen në qytet dhe përtej tij. Me shtetrrethimin në fuqi në një zonë të qendrës së qytetit, autoritetet kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmat që vijojnë të grumbullohen.
Në një deklaratë në platformën X (ish-Twitter), policia shkruan: “Grupe të shumta vazhdojnë të mblidhen në 1st St midis Spring dhe Alameda. Këto grupe po trajtohen dhe po iniciohen arrestime masive.” Shtetrrethimi i shpallur nga kryebashkiakja Karen Bass mbulon një zonë një milje katrore dhe është në fuqi nga ora 20:00 deri në 06:00, me përjashtim për banorët, gazetarët dhe shërbimet e urgjencës.
Protestat janë përhapur në të paktën dhjetë qytete të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Nju Jorkun, Atlantën, Çikagon, Filadelfian, Dallasin, Austinin dhe San Franciskon. Në Nju Jork janë shënuar disa arrestime, megjithëse protestat atje kanë qenë kryesisht paqësore. Ndërkohë, në Teksas është vendosur Garda Kombëtare, ku autoritetet po zbatojnë masa më të ashpra sigurie.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, në një fjalim televiziv, akuzoi presidentin Donald Trump për nxitjen e tensioneve. “Dërgimi i luftëtarëve të trajnuar në rrugë është i pashembullt dhe kërcënon vetë thelbin e demokracisë sonë,” tha ai. Newsom ka paraqitur gjithashtu një mocion emergjence për të ndalur vendosjen e trupave ushtarake në qytet, por një gjyqtar federal e ka hedhur poshtë përkohësisht atë kërkesë dhe ka caktuar një seancë dëgjimore për të enjten.
Nga ana tjetër, Trump, duke folur para trupave amerikane në Karolinën e Veriut, e përshkroi valën e protestave si “një sulm të plotë ndaj paqes dhe rendit publik,” duke sinjalizuar një qëndrim të fortë kundër demonstruesve. Situata mbetet e tensionuar ndërsa autoritetet lokale dhe federale përballen me pasojat e një krize që po përfshin qytete të tëra në mbarë vendin.
© SYRI.net