Rusia ka ndërmarrë një tjetër sulm masiv ajror ndaj Ukrainës gjatë natës së së martës, duke shënjestruar Kievin dhe Odesën me raketa dhe dronë. Forcat ruse lëshuan 322 objektiva ajrorë, përfshirë 315 dronë Shahed, raketa balistike të tipit KN-23 dhe raketa kruiz Iskander-K. Mbrojtja ajrore ukrainase raportoi kapjen e 284 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër shkaktoi dëme të rënda në infrastrukturë dhe ndërtesa civile.
Në Kiev, kryeqyteti u godit rëndë, me banorë që kërkuan strehim në stacionet e metrosë gjatë sulmit. Kryebashkiaku Vitali Klitschko bëri me dije se shërbimet e emergjencës po punojnë në disa zona të qytetit, teksa autoritetet lëshuan paralajmërime për valë të reja dronësh. Ndërkohë, Odesa në jug të vendit përjetoi pasoja tragjike, me dy persona të vrarë dhe dëme të mëdha në një stacion mjekësor emergjence, si dhe në një spital materniteti.
Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi këtë si një nga sulmet më të mëdha ajrore ndaj Kievit, ndërsa nënvizoi se përveç kryeqytetit, në shënjestër ishin edhe rajonet e Dnipros dhe Çernihovit. Ai theksoi përdorimin e dy raketave balistike të prodhuara në Korenë e Veriut, duke ngritur shqetësime për përfshirje të aktorëve të tjerë në konflikt.
Në një apel të fortë ndërkombëtar, Zelensky kërkoi veprime konkrete nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe vendet e tjera që promovojnë paqen. “Duhet të ketë presion të fortë për hir të paqes”, tha ai, duke dënuar indiferencën ndaj agresionit rus.
Ky sulm i fundit vjen vetëm një ditë pas një tjetër vale rekord me 499 dronë dhe raketa të lëshuara nga Moska, duke e ngritur alarmin për një intensifikim të mundshëm të ofensivës ruse kundër qyteteve ukrainase.
© SYRI.net