66 të vrarë në Gaza gjatë sulmeve ajrore izraelite në ditën e dytë të Bajramit

66 të vrarë në Gaza gjatë sulmeve ajrore izraelite në ditën e dytë të Bajramit

23:02, 07/06/2025

Të paktën 66 palestinezë janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite mbi Rripin e Gazës në ditën e dytë të Bajramit. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, një nga sulmet më të rënda ndodhi në fshatin Sabra, ku u raportua për 15 viktima dhe 50 të plagosur.

Forcat izraelite kanë dhënë gjithashtu urdhër për zhvendosjen me forcë të dhjetëra mijëra palestinezëve nga veriu i Gazës, përfshirë zona të qytetit të Gazës dhe kampin e refugjatëve Jabalia. Paralelisht, ushtria izraelite ka vazhduar për ditën e dytë shembjen e ndërtesave në kampin e refugjatëve Tulkarem në Bregun Perëndimor të okupuar, duke ndjekur një plan që synon rrënimin e 106 ndërtesave në këtë kamp dhe në atë të Nur Shams.

Sipas raportimeve të Al Jazeera, banorëve u janë dhënë vetëm tre orë për të hyrë në shtëpitë e tyre dhe për të marrë sendet personale para shembjes. Dy kampet e sipërpërmendura, së bashku me atë të Jeninit, janë bërë objekt i operacionit më të gjatë dhe më shkatërrues ushtarak izraelit në territoret palestineze në dekada.

Që nga tetori i vitit 2023, numri i të vrarëve palestinezë ka arritur në 54,772, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Vetëm gjatë 48 orëve të fundit, 95 trupa janë sjellë në spitale, ndërsa 304 persona janë plagosur, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 125,834.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco