Të paktën tre persona janë vrarë dhe 17 të tjerë janë plagosur në sulmin më të madh me dronë rusë ndaj qytetit Kharkiv në Ukrainë, deklaroi kryebashkiaku i qytetit.
Ihor Terekhov tha se Rusia ka lëshuar 48 dronë, dy raketa dhe katër bomba drejt qytetit gjatë natës.
Në një postim në rrjetin social Telegram ai deklaroi se qyteti po përjetonte sulmin më të fuqishëm deri më tani, duke përshkruar një moment kur “të paktën 40 shpërthime” janë dëgjuar brenda një ore e gjysmë, shkruan BBC.
Sipas të dhënave paraprake, janë dëmtuar 18 pallate banimi dhe 13 shtëpi të tjera,
Terekhov e cilësoi sulmin “terrorizëm i hapur. Ka shumë dëme”.
Sulme të ashpra janë regjistruar në të gjithë Ukrainën edhe një natë më parë, kur gjashtë persona humbën jetën dhe 80 të tjerë u plagosën.
Ky zhvillim vjen pas një sulmi të madh me dronë nga Ukraina ndaj aeroporteve ushtarake ruse të dielën e kaluar. Pas këtij sulmi, Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, kishte paralajmëruar se do të përgjigjej.
Kharkiv është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë për nga popullsia. Sipas të dhënave të vitit 2024, Kharkiv ka një popullsi prej rreth 1.42 milion banorësh, duke u renditur pas kryeqytetit Kyiv, i cili ka afërsisht 3 milion banorë.
Kharkiv ndodhet në verilindje të vendit dhe është një qendër e rëndësishme industriale, shkencore dhe kulturore. Pavarësisht sfidave të shumta gjatë luftës, qyteti ka ruajtur një rol kyç në jetën ekonomike dhe shoqërore të Ukrainës.
© SYRI.net