Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka marrë një vendim të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të migrantëve, duke shpallur të pafajshme një grua me origjinë nga Kongo, e cila kishte hyrë në territorin italian në vitin 2019 së bashku me dy të mitur, duke përdorur pasaporta të rreme.
Rasti, i dërguar në Luksemburg nga Gjykata e Bolonjës në korrik 2023, ngre pyetje mbi kufijtë midis ndihmës humanitare dhe ndihmës për hyrje të paligjshme në BE. Gruaja kishte hyrë në aeroportin e Bolonjës me vajzën dhe mbesën e saj, për të cilat kishte kujdestari pas vdekjes së nënës së mbesës. Ajo deklaroi se ishte arratisur nga Kongoja për shkak të kërcënimeve nga ish-partneri dhe kishte marrë fëmijët me vete nga frika për sigurinë e tyre fizike.
Pas hyrjes në Itali, ajo u arrestua dhe u procedua penalisht për lehtësim të hyrjes së paligjshme në territorin italian. Por gjykata italiane vendosi të kërkojë interpretim nga Gjykata e BE-së mbi përputhshmërinë e këtij veprimi me Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së.
Në vendimin e së martës, presidenti i Gjykatës së BE-së, Koen Lenaerts, theksoi se sjellja e një prindi që hyn në territorin e një shteti anëtar me fëmijë të mitur për të cilët ka kujdes efektiv, nuk mund të konsiderohet ndihmë për imigrim të paligjshëm. Ai shtoi se ky veprim përfaqëson një përgjegjësi personale të lidhur me të drejtën për jetën familjare dhe mbrojtjen e fëmijëve, e garantuar nga e drejta evropiane.
Gjykata vuri në dukje se qëndrimi i kësaj gruaje nuk mund të konsiderohet i paligjshëm për aq kohë sa nuk është marrë një vendim përfundimtar mbi kërkesën e saj për mbrojtje ndërkombëtare. Kjo interpretim forcon të drejtën për azil dhe mbrojtjen e familjes në kuadër të ligjeve evropiane.
Vendimi i Gjykatës përbën një precedent të rëndësishëm për raste të ngjashme në të ardhmen, duke riafirmuar se respektimi i të drejtave themelore prevalon mbi dispozitat penale kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve dhe jetën familjare.
© SYRI.net