Presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë tarifat aktuale doganore mbi importet e çelikut dhe aluminit nga 25% në 50%, duke filluar nga e mërkura.
Duke folur në një tubim në Pittsburgh, Pensilvani, Trump tha se kjo masë do të ndihmojë në forcimin e industrisë vendase të çelikut dhe furnizimit kombëtar, duke ulur njëkohësisht varësinë nga Kina.
Trump shtoi gjithashtu se 14 miliardë dollarë do të investohen në prodhimin e çelikut në atë zonë përmes një partneriteti mes kompanisë amerikane US Steel dhe gjigantit japonez Nippon Steel, edhe pse më vonë u tha gazetarëve se ende nuk e kishte parë apo miratuar draftin përfundimtar.
Kjo deklaratë është lëvizja më e fundit në qasjen shpesh të paparashikueshme të Trump ndaj tarifave që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar.
“Nuk do të ketë asnjë shkurtim vendesh pune apo zhvendosje të tyre jashtë vendit, dhe çdo punëtor amerikan në çelik do të marrë së shpejti një shpërblim prej 5,000 dollarësh,” tha Trump përballë një turme me punëtorë çeliku, të cilët shpërthyen në duartrokitje.
Një shqetësim kryesor i sindikatës së punëtorëve të çelikut për marrëveshjen me Japoninë kishte të bënte me mënyrën se si do të respektohej kontrata e sindikatës që rregullon pagat dhe punësimet.
Trump e nisi fjalën e tij duke thënë se kishte “shpëtuar” US Steel, prodhuesin më të madh të çelikut në SHBA, që ndodhet në Pittsburgh, përmes tarifave 25% që vendosi gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018.
Ai e paraqiti rritjen në 50% si mënyrë për të siguruar mbijetesën e US Steel.
“Me 50%, nuk do të mund të hedhin më gardhin,” tha ai. “Do të kthejmë përsëri çelikun e Pensilvanisë në shtyllën kurrizore të Amerikës, si asnjëherë më parë.”
Prodhimi amerikan i çelikut ka pësuar rënie vitet e fundit, ndërsa Kina, India dhe Japonia janë bërë prodhuesit më të mëdhenj në botë. Rreth një e katërta e çelikut që përdoret në SHBA është i importuar, dhe varësia e vendit nga çeliku meksikan dhe kanadez ka shkaktuar zemërim te Trump.
Ky njoftim vjen ndërkohë që në gjykatë po zhvillohet një betejë ligjore mbi ligjshmërinë e disa prej tarifave doganore globale të Trump, të cilën një gjykatë apeli ka lejuar të vazhdojë pasi Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare kishte urdhëruar ndalimin e taksave. Megjithatë, tarifat për çelikun dhe aluminin nuk janë cwnuar nga padia.
“Është një ditë e mirë për punëtorët e çelikut,” i tha BBC, JoJo Burgess, anëtar i sindikatës lokale United Steelworkers dhe kryetar bashkie i qytetit Washington në Pensilvani, i cili ishte i pranishëm në tubimin e Trumpit.
Burgess, që ka votuar vetëm për kandidatët demokratë për president gjatë dy dekadave të fundit dhe nuk e konsideron veten mbështetës të Trumpit, u shpreh optimist për detajet e raportuara të marrëveshjes me Nippon Steel, duke shtuar se shpreson që ajo të ndihmojë në krijimin e një brezi të ri punëtorësh në industrinë e çelikut.
Ai kujtoi se “kishte fituar shumë para” gjatë viteve pas vendosjes së tarifave nga Trump gjatë mandatit të tij të parë.
“Unë nuk do të kundërshtoj kurrë diçka që barazon fushën e lojës për prodhimin amerikan,” shtoi Burgess.
Megjithatë, ndikimet e deritanishme të tarifave të Trump kanë shkaktuar kaos ekonomik në shkallë globale. Tregtia dhe tregjet botërore janë përmbysur, ndërsa janë thelluar përçarjet në marrëdhëniet e SHBA-së me vende të tjera, përfshirë aleatët e saj më të ngushtë.
Tarifat kanë tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës – dy ekonomitë më të mëdha në botë – dhe kanë nisur një betejë tregtare me kundërmasa nga të dy palët.
Të premten, pa dhënë shumë hollësi, Trump akuzoi Kinën se kishte shkelur një marrëveshje të përkohshme që kishin arritur fillim muajit për tarifat, gjatë bisedimeve në Gjenevë.
Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, sqaroi më pas se Kina nuk kishte hequr barrierat jotarifore, siç ishte rënë dakord në marrëveshje.
Kina reagoi duke akuzuar SHBA-në për shkelje të tjera, pa iu përgjigjur direkt pretendimeve, por duke kërkuar që SHBA të “ndalojë diskriminimin ndaj Kinës”.
Kina është prodhuesja më e madhe e çelikut në botë, duke përfaqësuar më shumë se gjysmën e prodhimit global, sipas statistikave të Shoqatës Botërore të Çelikut për vitin 2022.
“Nëse nuk ke çelik, nuk ke vend. Dhe pa vend, nuk bën dot as ushtri. Çfarë do bëjmë, të shkojmë në Kinë për të marrë çelik për tanket tona?” u shpreh Trump me ironi gjatë fjalimit në Pittsburgh.
Në fjalimin e tij gati një orë të gjatë, Trump përmendi marrëveshjen që pretendoi se kishte arritur me kompaninë japoneze Nippon Steel, por nuk dha detaje të reja. Asnjëra nga kompanitë nuk ka konfirmuar përfundimin e marrëveshjes.
Gjatë fushatës presidenciale, Trump kishte thënë se do të bllokonte çdo blerje të US Steel nga kompani të huaja. Ende nuk është e qartë se si do të funksionojë partneriteti i raportuar dhe kush do të zotërojë kontrollin e kompanisë.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se Trump kishte bindur Nippon Steel që të rrisë investimet në SHBA dhe t’i jepte qeverisë amerikane fjalën e fundit në operacionet e fabrikave.
Sipas mediave amerikane, Japonia planifikon të investojë 14 miliardë dollarë brenda 14 muajve.
Detaje të tjera të raportuara përfshijnë: ruajtjen e pronësisë së US Steel në SHBA, me qytetarë amerikanë në bord dhe në pozicione drejtuese; premtimin për të mos ulur prodhimin për 10 vjet; dhe dhënien e së drejtës qeverisë amerikane për të vënë veton mbi çdo ulje të mundshme të prodhimit pas atij afati. / BBC/
© SYRI.net