‘Armëpushim në tokë, det dhe ajër me monitorim ndërkombëtar!’/ Propozimi me 22 pika i Ukrainës për paqe me Rusinë, si e komentoi SHBA

‘Armëpushim në tokë, det dhe ajër me monitorim ndërkombëtar!’/ Propozimi me 22 pika i Ukrainës për paqe me Rusinë, si e komentoi SHBA

15:47, 30/05/2025

Proceset për rinisjen e bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë po zhvillohen në një klimë të tensionuar, me Ukrainën që akuzon hapur Rusinë për mungesë gatishmërie për armëpushim.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, deklaroi të premten se Rusia ende nuk ka dorëzuar memorandumin me pozitat e saj, pavarësisht propozimit për një raund të ri bisedimesh të hënën e ardhshme në Stamboll.

Sybiha, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij turk, Hakan Fidan, në Kiev, theksoi se për të qenë një takim “i vlefshëm dhe produktiv”, Ukraina duhet të ketë marrë paraprakisht propozimet ruse.

“Delegacioni që do të marrë pjesë duhet të ketë autorizimin për të negociuar mbi pozita të caktuara. Nuk mund të shkojmë me ‘kartat e mbyllura’,” nënvizoi ai.

Po ashtu, ai sqaroi se Ukraina ka dorëzuar tashmë memorandumin e saj me 22 pika përpara Rusisë dhe SHBA-ve, i cili përfshin, ndër të tjera, një armëpushim në tokë, det dhe ajër, me monitorim ndërkombëtar të zbatimit të tij.

Përfaqësuesi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se memorandumi rus “nuk mund të publikohet” dhe se ai do të dorëzohet vetëm gjatë takimit të hënës. Kjo qasje ka shkaktuar shqetësime në Kiev, ku dyshohet se Moska mund të “tendosë” situatën duke paraqitur kërkesa të papranueshme, si tërheqja nga territoret që Ukraina ende mban nën kontroll dhe pastaj ta akuzojë Kievin për dështimin e bisedimeve.

Ukraina kërkon fillimisht një armëpushim dhe më pas bisedime për një marrëveshje paqeje më të gjerë. Nga ana tjetër, Moska insistojnë se bisedimet duhet të përqendrohen te “shkaqet themelore” të luftës, një kusht që sipas Kremlinit përfshin kërkesa si garancia për moszgjatjen e NATO-s në lindje, një kërkesë që Ukraina e refuzon.

Dërguari i posaçëm i presidentit Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, konfirmoi se SHBA-të kanë marrë memorandumin ukrainas dhe e vlerësoi atë si “të arsyeshëm” dhe “të shkruar mirë”. Megjithatë, ai paralajmëroi Kievin të mos refuzojë pjesëmarrjen në takim, edhe nëse nuk ka marrë paraprakisht tekstin rus. “Mos thoni se nuk do të shkoni. Pjesëmarrja është një pjesë e seriozitetit,” tha ai.

Kellogg, edhe pse mbështeti përpjekjen e Ukrainës për armëpushim, vlerësoi shqetësimet ruse mbi zgjerimin e NATO-s si “të arsyeshme”, duke shtuar se anëtarësimi i Ukrainës “nuk është në tavolinë”.

Një delegacion i negociatorëve rusë do të udhëtojë në Stamboll dhe do të jetë i gatshëm për raundin e dytë të bisedimeve me përfaqësues të Kievit të hënën në mëngjes, tha Peskov.

Peskov theksoi se memorandumi rus dhe ai ukrainas do të shqyrtohen atje, megjithatë detajet e projekt-memorandumit të Rusisë për zgjidhjen e çështjes ukrainase nuk do të publikohen. Aktualisht po përgatitet një listë kushte për një armëpushim të përkohshëm, i cili do të miratohet. Kjo listë do të përfshijë çështje sigurie në Detin e Zi.

Sipas Peskov, presidenti Putin mbështet mundësinë e një takimi personal me Zelenskyn dhe Trump, pasi këto kontakte janë të dëshirueshme, por kërkohet përgatitje e mirë.

Për më tepër, përfaqësuesi i presidentit rus tha se të ardhmen e sigurisë evropiane duhet ta diskutojnë europianët, por në Stamboll do të zhvillohen bisedime midis Rusisë dhe Ukrainës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco