Presidenti francez Emmanuel Macron përfundoi një vizitë dyditore në Indonezi, ndalesa e dytë e një turi diplomatik njëjavor në Azinë Juglindore, me një axhendë të mbushur me marrëveshje bashkëpunimi dhe gjeste miqësore me udhëheqësit vendas. I shoqëruar nga Zonja e Parë Brigitte Macron, ai mbërriti në Jakarta të martën mbrëma pas një ndalese në Vietnam.
Në qendër të vizitës ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje të re partneriteti kulturor mes Francës dhe Indonezisë, që synon të ruajë trashëgiminë kulturore, të zhvillojë burimet njerëzore dhe të promovojë shkëmbimin e produkteve kulturore si filmat, muzika dhe tekstilet. Ministri i Kulturës i Indonezisë, Fadli Zon, theksoi rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj në këtë bashkëpunim, duke e cilësuar marrëveshjen si një hap drejt dialogut më të thelluar kulturor mes dy kombeve.
Pakti përfshin edhe nisma konkrete si Laboratori i Filmit Indonezi–Francë dhe krijimi i Qendrës Kulturore Borobudur. Sipas Ministrisë së Kulturës, kjo marrëveshje do të shërbejë si një “kornizë operative për të zbatuar vizionin kulturor” të dy vendeve, përfshirë dixhitalizimin e arkivave dhe zhvillimin e muzeve.
Macron dhe Presidenti indonezian Prabowo Subianto vizituan së bashku Tempullin Borobudur, një nga monumentet budiste më të mëdhenj në botë, duke e mbyllur vizitën me një akt simbolik miqësie. Macron vlerësoi mikpritjen dhe e quajti udhëheqësin indonezian “një vëlla dhe mik të madh”.
Krahas dimensionit kulturor, takimet përfshinë edhe diskutime mbi bashkëpunimin ushtarak, i cili është forcuar ndjeshëm që nga viti 2019. Indonezia ka finalizuar një marrëveshje për blerjen e 42 avionëve francezë Dassault Rafale dhe ka njoftuar blerjen e dy nëndetëseve Scorpene Evolved, si dhe 13 radarëve tokësorë Thales. Ministri indonezian i Mbrojtjes, Sjafrie Sjamsoeddin, deklaroi se vizita kishte si synim thellimin e bashkëpunimit mbrojtës mes dy vendeve.
Presidenti Macron do të përfundojë turneun e tij diplomatik në Singapor, ku pritet të marrë pjesë në Dialogun Shangri-La, konferencën më të lartë të mbrojtjes në Azi.
© SYRI.net