Një grup prej rreth 300 shkrimtarësh frëngjishtfolës, mes tyre figura të njohura të letërsisë botërore si Jean-Marie Gustave Le Clézio, laureat i Çmimit Nobel në Letërsi, dhe Annie Ernaux, janë bashkuar për të denoncuar publikisht atë që ata e quajnë “gjenocid” ndaj popullsisë së Gazës.
Në një artikull të botuar në gazetën franceze Libération, shkrimtarët kërkojnë armëpushim të menjëhershëm dhe sanksione ndërkombëtare ndaj Izraelit.
“Ashtu siç ishte e domosdoshme t’i quanim krimet e kryera ndaj civilëve më 7 tetor 2023 krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, po aq e domosdoshme është që sot të quajmë këtë që po ndodh në Gaza me emrin e vet të saktë: gjenocid,” shkruajnë autorët, duke e krahasuar masakrën ndaj civilëve izraelitë të kryer nga Hamas me situatën e tanishme në Rripin e Gazës.
Shkrimtarët theksojnë se nuk janë duke relativizuar dhunën e 7 tetorit, por paralajmërojnë për rrezikun e heshtjes përballë shkatërrimit sistematik që po ndodh ndaj një popullsie të tërë. Ata kërkojnë sanksione ndaj Shtetit të Izraelit, lirimin e pengjeve izraelite, lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë dhe një fund pa vonesë të asaj që ata e quajnë gjenocid.
Apelit i janë bashkuar edhe fitues të Çmimit Goncourt, çmimi më prestigjioz letrar në Francë, si Hervé Le Tellier, Jérôme Ferrari, Laurent Gaudé, Brigitte Giraud, Leïla Slimani, Nicolas Mathieu, Eric Vuillard, mes shumë të tjerëve. Ky grup përfaqëson një spektër të gjerë zërash të rëndësishëm në kulturën frankofone, duke i dhënë peshë të veçantë ndërhyrjes së tyre publike. Syri.net-CNN.gr
© SYRI.net