Rusia ka deklaruar ditën e sotme se sulmet ajrore të kryera ditëve të fundit ndaj Ukrainës ishin “përgjigje” ndaj përshkallëzimit të sulmeve ukrainase me dronë ndaj civilëve rusë, duke e akuzuar Kievin se po tenton të “pengojë” përpjekjet për paqe.
Moska ka kryer qindra sulme me dronë në Ukrainë nga mbrëmja e së premtes deri mëngjesin e së hënës, duke vrarë dhjetëra persona.
Presidenti amerikan, Donald Trump, që po teton të ndërmjetësojë përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës, të nisur tre vjet më parë, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, “është çmendur” dhe e ka kërcënuar Rusinë me sanksione për shkak të sulmeve.
“Kievi, me mbështetjen e disa shteteve evropiane, ka ndërmarrë një sërë hapash provokues për të penguar negociatat e nisura nga Rusia”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një deklarate.
Ministria tha se mbrojtja ajrore ruse ka shkatërruar 2.331 dronë ukrainas nga 20 deri më 27 maj, duke pretenduar se mbi gjysma e tyre u penguan në zonat jashtë fushëbetejës.
“Civilët, përfshirë gratë dhe fëmijët, janë plagosur”, u tha në deklaratë, ku u shtua se sulmet e fundit ruse në Ukrainë ishin “përgjigje” e drejtpërdrejtë e sulmeve ukrainase.
Kievi e ka akuzuar Rusinë se po tenton të shmangë përgjegjësinë për vrasjet.
“Duhet t’i japim fund kësaj pritjeje të pafund – Rusisë duhet t’i vendosen më shumë sanksione”, tha të martën në Telegram, Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Pushtimi rus i Ukrainës, i nisur në shkurt të vitit 2022, deri më tani ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra persona dhe ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në pjesët lindore dhe jugore të Ukrainës.
© SYRI.net