Bashkimi Evropian po shton presionin mbi Izraelin për shkak të situatës humanitare në Rripin e Gazës, ndërsa thirrjet për izolim diplomatik e madje edhe sportiv të këtij shteti po bëhen gjithnjë e më të zëshme brenda bllokut.
Komisioneri Evropian për Rininë, Kulturën dhe Sportin, Glenn Micallef, u shpreh prerë se ‘nuk ka vend për vende që nuk ndajnë vlerat tona’, duke lënë të kuptohet se vendet me sjellje të papajtueshme me standardet e BE-së mund të përjashtohen nga skena ndërkombëtare.
Komentet e Micallef, të bëra në një intervistë për Politico, pasojnë zhvillimet e fundit në terren, ku bllokada ndaj Gazës dhe ndërhyrjet ushtarake izraelite kanë sjellë pasoja të rënda humanitare.
Një incident i fundit, në të cilin forcat izraelite qëlluan paralajmërime ndaj diplomatëve evropianë, ka tensionuar më tej marrëdhëniet, duke shtyrë disa vende anëtare të kërkojnë rishikimin e marrëveshjeve dypalëshe me Izraelin.
Komisioneri Micallef theksoi se sporti dhe kultura nuk mund të qëndrojnë jashtë debatit mbi të drejtat e njeriut.
“Sporti është një mjet për të promovuar paqen dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kuptim, nuk duhet të ketë vend në ngjarjet sportive për ata që nuk ndajnë vlerat tona”, deklaroi ai, pa përmendur drejtpërdrejt Izraelin, por me një mesazh të qartë për situatën aktuale. Syri.net-Protothema
© SYRI.net