'Europa rrezikon të shkatërrohet'/ Ish-kancelarja Merkel: BE nuk do të mbijetojë pa kufij të hapur

'Europa rrezikon të shkatërrohet'/ Ish-kancelarja Merkel: BE nuk do të mbijetojë pa kufij të hapur

14:52, 26/05/2025

Europa mund të shkatërrohet. Është ky paralajmërimi i fortë që vjen nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë promovimit të librit të saj me kujtime “Freedom”. E njohur për qëndrimin e saj pro emigracionit gjatë krizës së vitit 2015, Merkel kritikoi ashpër masat e reja të marra nga qeveria gjermane për kufizimin e fluksit të azilkërkuesve, duke i konsideruar ato kërcënim serioz për unitetin dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian.

“Nuk besoj se mund ta luftojmë me vendosmëri migracionin e paligjshëm vetëm në kufijtë gjermano-austriak apo gjermano-polak… Gjithmonë kam qenë për zgjidhje evropiane”, deklaroi Merkel, duke komentuar politikat e kabinetit të kancelarit Friedrich Merz.

Masat e reja kufizuese, të prezantuara nga Ministri i Brendshëm në fillim të majit, ndalojnë paraqitjen e kërkesave për azil në të gjithë kufijtë tokësorë të Gjermanisë, përveç rasteve të veçanta si gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat vulnerabël. Kjo qasje përfaqëson një largim drastik nga politika e “dyerve të hapura” që Merkel promovoi në vitin 2015, kur Gjermania pranoi mbi një milion refugjatë.

Sipas Merkel, kjo kthesë vë në pikëpyetje lirinë e lëvizjes brenda BE-së dhe rrezikon sistemin Shengen, që garanton udhëtimin pa viza në shumicën e vendeve anëtare. “Nëse kjo praktikë vazhdon, mund të dëshmojmë shpërbërjen e Evropës”, paralajmëroi ish-kancelarja.

Në vitin 2023, Gjermania vazhdoi të jetë destinacioni kryesor për azilkërkuesit në BE, me mbi 237 mijë aplikime – rreth 25% e totalit evropian. Ndërkohë, kancelari Friedrich Merz, nën presionin e rritjes së mbështetjes për partinë e djathtë AfD, ka premtuar shtrëngimin e kontrolleve kufitare, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të parakohshme të muajit shkurt.

Në këtë klimë politike të polarizuar, deklaratat e Merkel vijnë si një thirrje e qartë për të ruajtur parimet themelore të bashkëpunimit evropian dhe për të mos sakrifikuar liritë e fituara në emër të sigurisë kombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco