BE reagon pas kërcënimeve të SHBA-së me tarifa 50%, ‘tregtia midis dy vendeve duhet të...’

BE reagon pas kërcënimeve të SHBA-së me tarifa 50%, ‘tregtia midis dy vendeve duhet të...’

11:51, 24/05/2025

Komisioneri Evropian i Tregtisë, Marosh Shefçoviç, theksoi se BE po vepron në mirëbesim për të siguruar zbatimin e marrëveshjes tregtare me SHBA-në, ku sipas tij, duhet të bazohet në respket dhe jo në kërcënime.

Lideri amerikan u shpreh se nuk është ‘në kërkim të një marrëveshjeje tregtare’ me Bashkimin Evropian, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave prej 50% për importet nga 27 vendet anëtare, duke filluar nga 1 qershori.

BE-ja është plotësisht e angazhuar dhe e vendosur të sigurojë një marrëveshje që funksionon për të dyja palët”, shkroi Shefçoviq në platformën X, pas një takimi me përfaqësuesin amerikan për tregtinë Jamieson Greer dhe ministrin e Tregtisë, Howard Lutnick.

Tregtia midis BE-së dhe SHBA-së duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë dhe jo nga kërcënimet. Jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona”, shtoi komisioneri evropian.

Në fillim të muajit maj, BE-ja kishte kërcënuar me vendosjen e tarifave ndaj importeve amerikane në vlerë prej 95 miliardë eurosh, që përfshijnë veturat dhe aeroplanët, nëse dështojnë negociatat tregtare me administratën Trump.

Komisioni Evropian njoftoi gjithashtu se do të paraqesë ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (WTO) për masat tregtare që po ndërmarrin Shtetet e Bashkuara ndaj saj.

Në muajt e fundit, BE-ja është goditur tri herë nga tarifat e vendosura nga administrata amerikane: 25 për qind për çelikun dhe aluminin (të shpallura në mes të marsit), 25 për qind për veturat dhe më pas 20 për qind për të gjitha produktet e tjera evropiane në prill.

Tarifat më të fundit të shpallura janë pezulluar deri në korrik për t’u dhënë mundësi negociatave, por tarifat prej 10 për qind vazhdojnë të aplikohen për shumicën e mallrave që eksportohen nga 27 vendet anëtare të BE-së në SHBA.

Sipas vlerësimeve amerikane, deficiti tregtar i SHBA-së me Bashkimin Evropian në tregtinë e mallrave për vitin 2024 arrin në 235 miliardë dollarë.

Megjithatë, Komisioni Evropian thekson se ky bilanc ndryshon ndjeshëm kur përfshihen edhe shërbimet, ku SHBA ka suficit. Si rezultat, deficiti total në tregtinë dypalëshe bie në rreth 50 miliardë euro (afërsisht 57 miliardë dollarë), duke reflektuar një pamje më të balancuar të marrëdhënieve ekonomike mes dy palëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco