Një rrjet i sofistikuar spiunazhi rus është zbuluar së fundmi në mënyrë diskrete nga autoritetet braziliane, duke shënuar një nga dështimet më të mëdha të shërbimeve të inteligjencës ruse në dekada.
Hetimi, i publikuar nga The Neë York Times, zbulon sesi Rusia kishte përdorur Brazilin si një platformë për ndërtimin e identiteteve të reja për agjentët e saj elitarë të quajtur ‘të paligjshëm’, me qëllimin final për të vepruar më pas në SHBA, Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Sipas gazetarit të Times, James Bradley, Brazili u zgjodh për tri arsye strategjike: strukturën multikulturore që e bën integrimin më të lehtë, pasaportën e fuqishme braziliane që siguron hyrje pa viza në shumë vende, dhe mbi të gjitha, sistemin e dobët të regjistrimit të lindjeve që lejonte ndërtimin relativisht të lehtë të identiteteve të rreme. Këto faktorë e kthyen Brazilin në një "fabrikë identitetesh" për shërbimet sekrete ruse.
Zbërthimi i operacionit nisi në prill 2022, pas një sinjalizimi nga CIA për agjentin rus Sergey Cherkasov, i cili vepronte nën emrin brazilian Victor Muller Ferreira. Cherkasov ishte vendosur prej tetë vitesh në Brazil, kishte ndjekur studime në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ishte pranë fillimit të një stazhi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, në një moment kritik kur po përgatitej një hetim për krime lufte ndaj Rusisë.
Por kur ai mbërriti në Holandë, autoritetet lokale refuzuan hyrjen e tij dhe e kthyen në São Paulo. Aty, pas një kontrolli më të thelluar, u zbulua se certifikata e lindjes kishte elementë të rremë: nëna e listuar kishte vdekur prej kohësh pa pasur fëmijë dhe babai nuk ekzistonte.
Pas arrestimit të Cherkasov, autoritetet braziliane nisën një operacion më të gjerë hetimor të koduar ‘Operacioni Lindje’. Deri tani janë identifikuar nëntë agjentë të tjerë rusë që vepronin nën identitete braziliane. Shumë prej tyre kishin ndërtuar jetë të plota, me biznese, miqësi dhe madje marrëdhënie romantike, që i ndihmonin të përforconin identitetin e tyre të rremë. Syri.net-To Vima.gr
© SYRI.net