Gaza po përjeton një nga krizat më të rënda humanitare të kohëve të fundit, teksa mungesa e ndihmës mjekësore dhe ushqimore po lë pasoja tragjike mbi popullsinë civile.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Autoritetit Palestinez, në vetëm dy ditët e fundit kanë humbur jetën të paktën 29 persona, fëmijë dhe të moshuar, si pasojë e urisë dhe kushteve të mjerueshme të jetesës në enklavën e rrethuar.
“Vdekjet janë drejtpërdrejt të lidhura me urinë dhe mungesën e aksesit në shërbime bazike jetike,” deklaroi ministri Majed Abu Ramadan në një konferencë për media në Bregun Perëndimor.
Ai shtoi se ky bilanc tragjik përfshin individë të të gjitha moshave, por më të prekurit janë fëmijët dhe të moshuarit, të cilët janë më të cenueshëm ndaj pasojave të mungesës së ushqimit dhe trajtimit mjekësor.
Ndërkohë, bastisjet ajrore izraelite kanë lënë të paktën 52 të vrarë gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë gra dhe fëmijë, në kuadër të një vale të re sulmesh ushtarake që përfshin të gjithë territorin e Gazës.
Shumica e viktimave janë civilë të bllokuar në zonat urbane, të cilat janë goditur rëndë nga bombardimet.
Spitali kryesor në Gaza, tashmë i tejmbushur, është bërë strehë për mijëra fëmijë të kequshqyer që nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Raportohet se vetëm një pjesë e vogël e spitaleve mbetet funksionale, ndërsa furnizimet mjekësore janë pothuajse të shteruara.
Ndihmat humanitare, të cilat pritet të fillojnë të hyjnë gradualisht gjatë kësaj jave pas lehtësimeve të pjesshme nga Izraeli në pikat kufitare, konsiderohen të pamjaftueshme për të përballuar krizën në përshkallëzim. Syri.net-CNN.gr.
© SYRI.net