Studiuesit në Universitetin e Stanfordit besojnë se kanë zbuluar një mënyrë për të frenuar aktivitetin e rrezikshëm sizmik në zonën vullkanike të Campi Flegreit, pranë Napolit. Në vend që të fajësojnë magmën, ata kanë identifikuar si shkak kryesor presionin nga uji nëntokësor i bllokuar nën tokë. Zgjidhja e mundshme? Menaxhimi i rrjedhës së ujit sipërfaqësor dhe ulja e nivelit të ujërave nëntokësore për të reduktuar presionin.
Studimi, i publikuar në Science Advances, përdor imazhe nëntokësore dhe eksperimente laboratorike për të treguar se, kur shtresa sipërfaqësore e tokës mbyllet, presioni nga uji dhe avulli nën të mund të shkaktojë tërmete. Kjo shpjegon lëkundjet që kanë ndodhur në vitet 1980 dhe nga viti 2011 deri sot.
Ky zbulim sfidon bindjen e mëparshme se tërmetet në këtë rajon shkaktohen nga ngritja e magmës. Në vend të kësaj, studiuesit tregojnë se akumulimi i ujit në një rezervuar të mbyllur është faktori kryesor që çon në deformim të tokës dhe lëkundje.
“Ne mund të ndërhyjmë duke kanalizuar ujin sipërfaqësor ose duke ulur presionin përmes puseve,” tha profesorja Tiziana Vanorio, e cila u detyrua të evakuohej nga Pozzuoli gjatë krizës së viteve ’80. Ajo e cilëson këtë projekt si një mision personal për të parandaluar një katastrofë.
Campi Flegrei është një kalderë 13 km e gjerë, e formuar nga shpërthime masive mijëra vite më parë. Toka në këtë zonë “fryhet dhe shfryhet”, duke u ngritur dhe ulur pa pasur domosdoshmërisht një shpërthim. Sipas studiuesve, kjo fryrje vjen nga uji që akumulohet dhe më pas shpërthen si avull kur presioni bëhet i tepërt.
Në laborator, ata simuluan kushtet nën tokë dhe treguan se krisjet në kapakun shkëmbor mbyllen shpejt nga fibra minerale, duke krijuar një sistem të mbyllur ku presioni rritet derisa ndodhin tërmete dhe shpërthime me zhurmë.

Duke kombinuar të dhënat sizmike me eksperimentet e fizikës së shkëmbinjve, studiuesit propozojnë një model të ri për të kuptuar dhe menaxhuar aktivitetin në Campi Flegrei. Në vend të thjesht monitorimit, ata sugjerojnë masa parandaluese për të ulur rrezikun për mijëra banorë.

“E kemi fuqinë të ndërhyjmë te ‘karburanti’ i sistemit, uji, edhe pse jo te magma. Kjo është si të kalosh nga trajtimi i sëmundjes te parandalimi i saj,” përfundon Vanorio. / Scitech Daily - Syri.net

© SYRI.net