Franca do të ndërtojë burg të sigurisë së lartë në Amazon për të izoluar trafikantët e drogës nga bandat

Franca do të ndërtojë burg të sigurisë së lartë në Amazon për të izoluar trafikantët e drogës nga bandat

17:54, 19/05/2025

Franca ka shpallur ndërtimin e një burgu të sigurisë së lartë në zemër të Amazonës, si pjesë e një strategjie të re për të goditur krimin e organizuar dhe terrorizmin. Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, bëri publike skemën prej 400 milionë eurosh gjatë një vizite në Guianën Franceze, një territor i Francës në Amerikën e Jugut, të dielën.

Burgut të ri do t’i bashkëngjitet edhe një gjykatë në të njëjtën zonë, me objektivin për të qenë funksionale që në vitin 2028. Objekti do të ndërtohet në Saint-Laurent-du-Maroni, pranë ish-kolonisë famëkeqe penale “Ishulli i Djallit”, që funksionoi deri në vitet 1950 dhe u bë i njohur nga romani “Papillon”.

Sipas planit të prezantuar, burgu do të ketë një kapacitet prej 500 shtretërish dhe do të strehojë 60 nga trafikantët më të rrezikshëm të drogës dhe 15 terroristë. Darmanin theksoi se qëllimi është të “nxirren jashtë loje trafikantët më të rrezikshëm të drogës” dhe të lehtësohet mbipopullimi në burgjet ekzistuese.

Ky është një nga tre burgjet e sigurisë së lartë që parashihen në ofensivën kundër drogës të ministrit francez. Dy të tjerët ndodhen në Vendin-le-Vieil dhe Condé-sur-Sarthe në Francën kontinentale, ku tashmë po planifikohet transferimi i 100 trafikantëve më të mëdhenj të vendit.

Duke folur më herët për gazetën Le Monde, Darmanin shpjegoi se burgjet ekzistuese nuk përbëjnë më pengesë për shumë trafikantë, të cilët vijojnë aktivitetin kriminal nga qelitë dhe rrezikojnë jetën e gjyqtarëve, oficerëve të burgut, gazetarëve apo avokatëve.

Projekti i ri në Guianën Franceze shënon një kthesë të ashpër në qasjen e Francës ndaj krimit të organizuar dhe forcon rolin e saj në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco