'Piktori modernist në Shqipëri' e New York Times, te mohimi i meritës, Hamza: Osekun s’e pozicionuan siç duhet

21:30, 17/05/2025

Në ekspozitën “Substancë”, e kuruar nga artistja dhe kuratorja Najada Hamza, publiku përballet me një përpjekje për të rivendosur figurën e Ali Osekut në vendin që i takon në historinë e artit shqiptar. Ndërthurja e dokumenteve, veprave dhe zërit të vetë artistit sjell një qasje të re mbi kujtesën, identitetin dhe mungesën e meritës së padhënë ndër vite. Hamza ndalet edhe te artikulli i gazetës prestigjioze New York Times, që e cilëson Osekun si një piktor modernist në Shqipëri.

Najada Hamza:

Ekspozita është një format për të kujtuar përmes artit. U përpoqa që të punoja për një audiencë më të gjerë se vetë artistët, me misionin brenda vetes që Ali Oseku nuk duhet lënë në harresë. Ali Osekut asnjëherë nuk i është dhënë merita, nuk është pozicionuar ashtu siç duhet. Nuk është se unë, përmes kësaj ekspozite, i jap të gjitha meritat, por t’i kisha në dorë, sigurisht që do ia jepja si njeri, si artist, si pedagog, si mik, si baba, si bashkëshort do ia jepja në mënyrë absolute notën 10. Por nuk e kam unë. Unë kam vendosur një shenjë, kam treguar një model se si ne kolegët, por jo vetëm ne, duhet ta vlerësojmë artistin. Ekspozita vjen përmes një formati multimedial. Unë kam vendosur që të flas me disa shenja. Shenja e parë është diploma. Shenja e dytë është cikli i punëve, të cilat janë të viteve 2012–2013. Kemi një projektor, i cili, nëpërmjet kolegëve, u përpoqëm të mblidhnim fotot që kishim me të. Morëm disa dokumentarë të përgatitur nga RTSH, ku ai flet për artin e tij, në studion e tij.

Egla Xhemalaj: Dhe ma lejoni një ndërhyrje, profesoreshë. Zëri shoqëron kundruesin apo vizitorin në të gjithë ekspozitën. Ishte një gjetje shumë e bukur.

Najada Hamza: Absolutisht, dhe faleminderit që e ke perceptuar këtë gjë, se përndryshe është heshtje... është vetëm zëri i Aliut. Në sallën ku janë fotot e kujtesës së Aliut, është një pikturë e Alit e viteve 1985–1986, një portret që i ka bërë gruas së tij, Luçës dashurisë së jetës së tij. Luça është së bashku me të. Më pas është dhe një cikël që ai e ka bërë dy vitet e fundit, kur bashkëshortja e tij u sëmur dhe ai nuk kishte më dëshirën. Një pjesë e shpirtit të tij nuk ishte më e njëjta. Nuk kishte më atë dëshirë për të shkuar në studio. Shkonte pak në studio për t’i bërë qejfin gruas, për të prekur materialet, dhe pjesën tjetër të ditës e kalonte në shtëpi. Skiconte portrete pafund. Ishin me qindra skica, të marra ku ishte Aliu në kohë të ndryshme, në gjendje të ndryshme.

Them që ato portrete e shprehin më së miri gjendjen e tij. Kemi një pikë të rëndësishme në ekspozitë, që janë dy skenografi, ku Aliu, artist i ri në vitin 1969, vihet në një dramë në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku Aliu ishte skenograf. Djalë i ri, i ushqyer me ideologjinë imperialist-socialiste. Janë dy skenografitë e Fadil Paçramit, viti ’61. Për fat të mirë, djali i Fadil Paçramit na e lejoi që këto dy skenografi të bëheshin pjesë e ekspozitës. Kemi ndër të tjera dy intervista shumë të mira që i janë bërë atij nga Violeta Murati dhe Alma Mile. Kemi një artikull shumë të mirë e simpatik të The New York Times – “Modernist Painter in Albania” – të cilin e kemi vënë në kornizë, se kemi gjetur një kopje të gazetës origjinale. Gjithmonë me idenë që të mos jetë një homazh që do të flasë vetëm përmes veprës, por të jetë një material që do t’u shërbejë studentëve të artit, artistëve të rinj dhe kujtdo që do të rrijë pranë Aliut, me Aliun.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco