Emiratet e Bashkuara Arabe kanë krijuar një kanal të fshehtë për bisedimet midis Izraelit dhe Sirisë, thanë tre persona të njohur me çështjen, ndërsa sundimtarët e rinj të Sirisë kërkojnë ndihmë rajonale, për të menaxhuar një marrëdhënie gjithnjë e më armiqësore me fqinjin e tyre jugor.
Kontaktet indirekte, të cilat nuk janë raportuar më parë, janë përqendruar në çështjet e sigurisë dhe inteligjencës, si dhe në ndërtimin e besimit midis dy shteteve pa marrëdhënie zyrtare, tha një person me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen, një burim sigurie sirian dhe një zyrtar rajonal i inteligjencës.
Burimi i parë e përshkroi përpjekjen, e cila filloi disa ditë pasi Presidenti sirian Ahmed Sharaa vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe më 13 prill, si të përqendruar aktualisht në "çështje teknike" dhe tha se nuk kishte kufi për atë që mund të diskutohet përfundimisht.
Burimi i lartë i sigurisë siriane i tha Reuters se kanali i fshehtë ishte i kufizuar në mënyrë strikte në çështje që lidhen me sigurinë, duke u përqendruar në disa dosje kundër terrorizmit.
Burimi tha se çështjet thjesht ushtarake, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me aktivitetet e ushtrisë izraelite në Siri, binin jashtë fushëveprimit të kanalit aktual.
Burimi i inteligjencës tha se zyrtarët e sigurisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, zyrtarët e inteligjencës siriane dhe ish-zyrtarët e inteligjencës izraelite ishin të përfshirë në mekanizëm, ndër të tjerë.
Ata folën në kushte anonimiteti, për shkak të ndjeshmërisë së situatës.
Presidenca e Sirisë dhe ministria e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. Zyra e kryeministrit izraelit refuzoi të komentojë.
Përpjekja e ndërmjetësimit i parapriu sulmeve ajrore izraelite në Siri javën e kaluar, përfshirë një vetëm 500 metra larg pallatit presidencial në Damask, dhe Reuters nuk mundi të përcaktojë nëse mekanizmi është përdorur që kur ndodhën sulmet.
Izraeli i ka paraqitur sulmet, si një mesazh për sundimtarët e rinj të Sirisë në përgjigje të kërcënimeve kundër Druzëve të Sirisë, një sekt minoritar që është një degë e Islamit me ndjekës në Siri, Liban dhe Izrael.
Një ndërmjetësim joformal midis Izraelit dhe Sirisë që synonte qetësimin e situates, ka ndodhur javën e fundit nëpërmjet kanaleve të tjera, sipas njërit prej burimeve dhe një diplomati rajonal. Ata nuk pranuan të jepnin më shumë detaje.
Qeveria e Sirisë i ka dënuar sulmet e Izraelit si përshkallëzim të situatës dhe ndërhyrje të huaja, dhe thotë se qeveria e re në Damask po punon për të bashkuar vendin pas 14 vitesh gjakderdhjeje.
Sundimtarët e rinj kanë bërë gjithashtu përpjekje të përsëritura për të treguar se nuk përbëjnë kërcënim për Izraelin, duke u takuar me përfaqësues të komunitetit hebreaik në Damask dhe jashtë vendit, si dhe duke ndaluar dy anëtarë të lartë të Xhihadit Islamik Palestinez, i cili mori pjesë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Një letër e dërguar nga ministria e jashtme e Sirisë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së muajin e kaluar, e parë nga Reuters, thoshte "ne nuk do të lejojmë që Siria të bëhet burim kërcënimi për asnjë palë, përfshirë Izraelin".
FRIKËRAT E PAKICAVE
Izraeli ka sulmuar Sirinë për vite me radhë, në një fushatë në hije që synon dobësimin e Iranit dhe aleatëve të tij, përfshirë Hezbollahun libanez, i cili rriti ndikimin e tij pasi hyri në luftën civile të vendit në anën e ish-presidentit Bashar al-Assad.
Operacionet ushtarake izraelite janë përshkallëzuar që kur rebelët rrëzuan Assadin në dhjetor, duke thënë se nuk do të tolerojë një prani militante islamike në Sirinë jugore. Izraeli ka bombarduar ato që i quan objektiva ushtarake në të gjithë vendin, dhe forcat tokësore izraelite kanë hyrë në Sirinë jugperëndimore.
Reuters raportoi në shkurt se Izraeli ka lobuar te SHBA-të që ta mbajnë Sirinë të decentralizuar dhe të izoluar, duke e bazuar qasjen e saj në dyshimin ndaj Sharaa-s, i cili dikur drejtonte një degë të al-Kaedës, përpara se të hiqte dorë nga lidhjet me grupin në vitin 2016.
Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe ka gjithashtu shqetësime në lidhje me prirjen islamiste të udhëheqësve të rinj të Sirisë, por takimi i Sharaa-s me Presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan muajin e kaluar shkoi shumë mirë, thanë burimet, duke ndihmuar në qetësimin e disa prej shqetësimeve të Abu Dhabit.
Burimet vunë në dukje se takimi zgjati disa orë, duke e bërë Sharaa-n të vonohej për një angazhim të mëvonshëm.
Kanali i fshehtë me Izraelin u krijua disa ditë më vonë, thanë burimet.
Damasku i sheh lidhjet e Emirateve të Bashkuara Arabe me Izraelin, të vendosura në një marrëveshje historike të ndërmjetësuar nga SHBA-të në vitin 2020, si një rrugë kyçe për të adresuar problemet me Izraelin, duke pasur parasysh mungesën e marrëdhënieve të drejtpërdrejta midis dy shteteve.
Sulmet e fundit të Izraelit në Siri pasuan ditë përleshjesh midis myslimanëve sunitë dhe atyre të armatosur druzë, të shkaktuara nga një regjistrim zëri me origjinë të paqartë që supozohet se fyente Profetin Muhamed, duke lënë më shumë se dy duzina të vdekur.
Qeveria e Sirisë ka arritur që atëherë një marrëveshje me fraksionet druze në rajonin zemër të druzëve të Suweidas për të punësuar forca lokale të sigurisë nga radhët e tyre, në një veprim që deri më tani ka ulur tensionet.
Luftimet paraqitën sfidën më të fundit për Sharaa-n, i cii është zotuar vazhdimisht të bashkojë të gjitha forcat e armatosura të Sirisë ,nën një strukturë dhe të qeverisë vendin, të përçarë nga 14 vjet luftë civile deri në përmbysjen e Assadit.
Por incidentet e dhunës sektare, veçanërisht vrasja e qindra alavitëve pro-Assad në mars, kanë forcuar frikën midis grupeve minoritare në lidhje me islamistët tani dominues dhe kanë shkaktuar dënim nga fuqitë globale./ Reuters.
© SYRI.net