Bashkimi Evropian dhe Kina duket se po afrohen me hapa të kujdesshëm drejt një rivendosjeje diplomatike, në një moment kur tensionet globale janë në rritje dhe politikat agresive të Presidentit amerikan Donald Trump po tronditin arkitekturën e sigurisë dhe tregtisë ndërkombëtare.
Mesazhet e ngrohta të shkëmbyera të martën mes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, dhe liderëve kinezë Xi Jinping e Li Qiang, në kuadër të 50-vjetorit të marrëdhënieve BE-Kinë, u panë si një sinjal i qartë i një gatishmërie të re për bashkëpunim.
“Një marrëdhënie e ekuilibruar, e ndërtuar mbi drejtësi dhe reciprocitet, është në interesin tonë të përbashkët”, u shprehën von der Leyen dhe Costa në deklaratën e përbashkët. Ndërkohë, Kina e përshkroi përvjetorin si “një mundësi për të hapur një të ardhme më të ndritur për marrëdhëniet BE-Kinë”.
Kjo qasje kontraston fort me retorikën e mandatit të parë të von der Leyen, kur ajo e konsideronte Pekinin një partner problematik për shkak të aleancës së tij të ngushtë me Moskën dhe përdorte konceptin e “heqjes së rrezikut” për të reduktuar varësitë strategjike.
Por rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe njoftimet për tarifa të reja gjithëpërfshirëse kundër BE-së e kanë detyruar Brukselin të rishqyrtojë pozicionin e tij gjeopolitik, përfshirë marrëdhënien me Kinën – ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Të dyja palët tashmë kanë dhënë sinjale konkrete për këtë kthesë: BE ka rënë dakord të rifillojë negociatat për automjetet elektrike kineze, ndërsa Pekini ka hequr sanksionet ndaj pesë eurodeputetëve të BE-së.
Megjithatë, festa diplomatike ndodh në një moment të ngarkuar. Presidenti Xi ndodhet në Moskë për të marrë pjesë në paradën e 9 majit, ku është “i ftuari kryesor” i Vladimir Putinit – një lëvizje që Brukseli e sheh si provokim dhe sfidë të hapur për mbështetjen e BE-së ndaj Ukrainës.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, pranoi se aleanca Xi-Putin “nuk është një element konstruktiv”, por këmbënguli se BE-ja mund të vazhdojë të angazhohet me Kinën për çështje si ndryshimet klimatike dhe rregullat tregtare globale.
Nga ana tjetër, tensionet e akumuluara mbeten të shumta: nga konkurrenca e pandershme ekonomike, deri te të drejtat e njeriut në Xinjiang, agresiviteti në Tajvan dhe fushatat e dezinformimit.
Të gjitha këto pritet të dalin në pah në samitin e ardhshëm BE-Kinë që do të mbahet në mesin e korrikut, ku është planifikuar edhe një takim kokë më kokë mes Ursula von der Leyen dhe Xi Jinping.
Do të jetë ky samit pika e kthesës për një kapitull të ri në marrëdhëniet Bruksel-Pekin? Apo do të mbetet vetëm një manovër taktike në hijen e një bote gjithnjë e më të fragmentuar?
© SYRI.net