Temperaturat rekord të nxehta, përjetoi Dubai përgjatë muajit prill

Temperaturat rekord të nxehta, përjetoi Dubai përgjatë muajit prill

18:19, 02/05/2025

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përjetuar prillin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në 20 vitet e fundit, me një temperaturë mesatare maksimale prej 42.6 gradë Celsius, njoftoi Qendra Kombëtare për Meteorologjinë.

Ky rekord tejkalon nivelin më të lartë të mëparshëm prej 42.2°C, të shënuar në prill të vitit 2017.

Valët e nxehtësisë që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit kanë qenë të pazakonta për këtë periudhë të vitit dhe kanë nxitur autoritetet të lëshojnë paralajmërime për shëndetin publik.

Banorëve u është kërkuar të pinë shumë ujë dhe të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Sipas meteorologut Ahmed Habib, këto kushte ekstreme janë shkaktuar nga depresionet termike që vijnë nga shkretëtira, të cilat sjellin një masë ajri jashtëzakonisht të nxehtë të njohur si 'Era e Jugut'.

Temperatura më e lartë e muajit u regjistrua më 27 prill në emiratin e Fujairah, ku termometri arriti në 46.6 gradë Celsius, vetëm 0.3 gradë nën rekordin absolut të prillit në Emirate, prej 46.9°C, të regjistruar në vitin 2012.

Prilli i vitit të kaluar ishte i karakterizuar nga një situatë krejt e kundërt. Emiratet përjetuan reshje shiu rekord, më të shumtat në 75 vitet e fundit, që shkaktuan katër viktima dhe paralizuan jetën në Dubai për disa ditë.

Ekspertët e klimës theksojnë se këto luhatje ekstreme janë tregues i pasojave të ndryshimeve klimatike, të cilat po e bëjnë motin gjithnjë e më të paparashikueshëm në rajonin e Gjirit. Syri.net-Protothema 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco