Kufizimet e rënda të vendosura ndaj grave afgane nga regjimi taleban jo vetëm që kanë izoluar gjysmën e popullsisë nga jeta publike, por po shkaktojnë edhe një dëm ekonomik të konsiderueshëm, paralajmëron Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Sipas një raporti të fundit, Afganistani pritet të humbasë rreth 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2026 për shkak të përjashtimit të grave nga tregu i punës dhe jeta sociale.
Sipas raportit, kufizimet që filluan të zbatohen në vitin 2021, pasi talebanët rimorën kontrollin e vendit, do të rezultojnë në humbje kumulative prej 920 milionë dollarësh mes viteve 2024–2026.
Gratë janë larguar nga universitetet, parqet, palestrat, sallonet e bukurisë, dhe pjesëmarrja e tyre në fuqinë punëtore është reduktuar në mënyrë drastike.
“Kjo është një goditje serioze për ekonominë,” tha për AFP nga Kabuli drejtori i UNDP-së në Afganistan, Steven Rodriguez.
Përpara rikthimit të talebanëve në pushtet, rreth 15% e grave afgane ishin të punësuara. Sot, kjo shifër është përgjysmuar, duke zbritur në vetëm 7%.
Rodriguez nënvizon se rikthimi i grave në punë dhe lejimi i tyre për të udhëtuar pa shoqërues mashkull do të kishte ndikim të menjëhershëm pozitiv, jo vetëm për ekonominë vendase, por edhe për perspektivën e mbështetjes ndërkombëtare.
Sipas UNDP, izolimi i grave nuk është thjesht çështje e të drejtave të njeriut, por edhe një vendim që po fundos ekonominë e një vendi tashmë të dobët.
Afganistani tashmë përballet me krizën e dytë më të madhe humanitare në botë, pas Sudanit, dhe perspektivat nuk duken pozitive pa ndryshime strukturore. Syri.net-CNN.gr.
© SYRI.net