Nga Tom Bateman, BBC
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u njoftua nëpërmjet një njoftimi për shtyp të dërguar me email nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së - shumë ndryshe nga buja e menduar fillimisht për një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, e cila përfundoi me përplasjen e ashpër në Zyrën Ovale midis presidentëve Trump dhe Zelensky.
Që atëherë, kjo marrëveshje duket se është rinegociuar ndjeshëm, pasi Shtëpia e Bardhë e rriti presionin.
Por Zelensky prapëseprapë ka arritur të sigurojë lëshime kyçe nga Uashingtoni.
Një draft i mëparshëm i tekstit të sotëm, i parë nga BBC, thotë se fondi i përbashkët i investimeve SHBA-Ukrainë do të krijohet për të kërkuar për minerale kritike dhe burime energjie në Ukrainë. Të ardhurat do të ndihmojnë në financimin e rindërtimit të Ukrainës.
Çështja kryesore është se drafti thotë, se kostoja e ndihmës së ardhshme ushtarake amerikane që i jepet Ukrainës, do të llogaritet si pjesë e investimit amerikan në fond. Kjo do të thotë që Ukraina, në fakt, do t'i japë Uashingtonit akses në disa nga burimet e saj natyrore në këmbim të ndihmës së ardhshme të sigurisë nga SHBA
Por kjo është dukshëm më pak se ajo që Trump kishte dashur, që ishte të merrte mbrapsht të gjithë ndihmën ushtarake amerikane të dhënë që nga fillimi i luftës në vitin 2022.
Gjuha e njoftimit të Departamentit të Thesarit tregon shumë më tepër solidaritet me Ukrainën sesa shfaqet zakonisht nga administrata Trump, duke iu referuar "pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë" dhe duke shtuar se "asnjë shtet apo person që financoi ose furnizoi makinën ruse të luftës nuk do të lejohet të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës".
© SYRI.net