Pas rasteve të raportuara në Gjermani në fillim të vitit dhe më vonë në Hungari, tani është Sllovakia që po përballet me një shpërthim shqetësues të sëmundjes së këmbës dhe gojës, një virus shumë ngjitës që po trondit fermat blegtorale në zemër të Evropës. Me mbi 6,000 deri në 7,000 kafshë të therura dhe qindra ferma nën mbikëqyrje të rreptë, autoritetet sllovake janë në gatishmëri të lartë, ndërsa Bashkimi Evropian vë në lëvizje mekanizmat e tij emergjentë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Sëmundja prek gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, duke shkaktuar dhimbje të mëdha te kafshët dhe rënie të ndjeshme të prodhimit. Edhe pse nuk përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e njeriut, ndikimi i saj në bujqësi është kolosal. BE-ja ka një sistem të mirëpërcaktuar ligjor për situata të tilla, përfshirë masa karantine, ndalim tregtie dhe kompensim financiar për fermerët e prekur. Por në terren, shqetësimet mbeten të mëdha.
Një ndër fermat më të mëdha të vendit, Agrocontract Mikulas, me 6,000 kafshë dhe 3,000 lopë qumështi, ndodhet fare pranë zonës së prekur. Deri tani, ajo është shpëtuar nga infeksioni, por një rast i vetëm brenda saj mund të çojë në shkatërrimin total të tufës. Ferma prodhon çdo vit 35 milionë litra qumësht dhe punëson 200 persona. Martin Zahumenský, pronar i fermës, shprehet: “Jemi në ankth të vazhdueshëm. Nuk mund të fle. Çdo telefonatë nga një fermë tjetër na ngjall frikën e më të keqes.”
Ferma, e themeluar nga babai i tij 30 vjet më parë, është kthyer në simbol të qëndrueshmërisë blegtorale në rajon. Por tani, ajo përballet me sfidën më të madhe në historinë e saj. Dezinfektimi i përditshëm, kontrollet e rrepta dhe ndarja e zonave të pastra dhe të ndotura janë bërë rutinë. Kostoja është e lartë dhe ndihma shtetërore, thonë fermerët, duhet të vijë urgjentisht.
Për të frenuar përhapjen e virusit, janë mbyllur disa pika kufitare midis Austrisë dhe Hungarisë, ndërsa kontrolle të shtuara po zhvillohen në kufijtë me Sllovakinë dhe Republikën Çeke. Institucionet e BE-së, përfshirë laboratorët e referencës, janë vënë në lëvizje. Mostrat e qumështit analizohen dy herë në javë nga 57 ferma në zonë, ndërsa Komisioni Evropian thekson se masat duhet të përshtaten në mënyrë dinamike me zhvillimin e situatës.
Jan Bardoň, drejtori i Institutit Shtetëror Veterinar të Olomoucit, thotë se produktet e pasterizuara janë të sigurta për konsum dhe se sistemi evropian i alarmit të shpejtë funksionon si duhet. Megjithatë, ai thekson se “çdo vend duhet të përshtasë masat me kushtet specifike që ka, si madhësia e fermës apo burimet në dispozicion”.
Shpërthimi aktual është një provë serioze për aftësinë e BE-së për të vepruar në një treg të përbashkët me kufij të hapur. A do të arrijë Europa të ndalojë virusin përpara se ai të bëhet një krizë e përmasave të mëdha kontinentale? Për shumë fermerë, përgjigjja është çështje jete a vdekje për biznesin e tyre./ Euronews - Syri.net
© SYRI.net