Depresioni dhe sëmundjet kardiovaskulare u kushtojnë mbi 100 miliardë euro në vit në BE-së për shkak të kushteve të këqija në punë

Depresioni dhe sëmundjet kardiovaskulare u kushtojnë mbi 100 miliardë euro në vit në BE-së për shkak të kushteve të këqija në punë

08:30, 29/04/2025

Një studim i Institutit Evropian të Sindikatave (ETUI), i publikuar të hënën, ka vlerësuar koston ekonomike të depresionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare të shkaktuara nga pesë faktorë psikosocialë në vendin e punës. Sipas këtij raporti, Bashkimi Evropian humbet mbi 100 miliardë euro në vit si pasojë e depresionit të lidhur me punën.

Pesë rreziqet psikosociale të identifikuara janë: stresi në punë, orët e gjata të punës, pasiguria në vendin e punës, mungesa e balancës mes përpjekjes dhe shpërblimit, si dhe ngacmimi moral. Këto rreziqe, sipas të dhënave të mbledhura që nga viti 2015, mund të kenë pasoja tragjike.

Sipas studiueses Sonia Nawrocka nga ETUI, rreth 6,000 vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe mbi 5,000 vetëvrasje të shkaktuara nga depresioni janë rezultat i ekspozimit ndaj këtyre rreziqeve psikosociale. Në të njëjtin vit, janë humbur më shumë se 400,000 vite jetë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe depresionit.

“Bëhet fjalë për vdekje të parandalueshme,” thekson Dimitra Theodori, drejtuese e sektorit të shëndetit dhe sigurisë në ETUI.

Instituti vlerëson se 8% e rasteve me sëmundje kardiovaskulare dhe 23% e rasteve me depresion kanë si shkak këto rreziqe në vendin e punës. Kostoja e depresionit bie rëndë mbi punëdhënësit, për shkak të mungesës së produktivitetit, sëmundjeve të vazhdueshme dhe mungesave nga puna. Por edhe prezenca në punë pa produktivitet (presenteeism) për shkak të gjendjes së dobët mendore, shton koston.

Sipas raportit, vendet më të prekura për nga kostoja për çdo 100,000 punëtorë janë Franca, Belgjika, Finlanda, Irlanda dhe Holanda.

Studimi është i pari që përllogarit ndikimin ekonomik të depresionit dhe sëmundjeve të zemrës të lidhura me faktorët psikosocialë në punë. ETUI po pret rezultatet e reja nga sondazhet e Eurofound, të cilat janë shtyrë për shkak të pandemisë së vitit 2020, për të vazhduar me analizat krahasuese.

Në përfundim, ETUI i bën thirrje Komisionit Evropian që të propozojë një direktivë të re për shëndetin mendor në punë, e cila të përfshijë udhëzime për parandalimin e këtyre rreziqeve dhe përfshirjen aktive të vetë punonjësve në këtë proces.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco