Koreja e Veriut pranon për herë të parë dërgimin e trupave për të luftuar për Rusinë në Ukrainë

Koreja e Veriut pranon për herë të parë dërgimin e trupave për të luftuar për Rusinë në Ukrainë

08:28, 28/04/2025

Koreja e Veriut ka pranuar për herë të parë se ka dërguar trupa për të luftuar përkrah forcave ruse në luftën kundër Ukrainës. Njoftimi zyrtar erdhi të hënën nga Komisioni Qendror Ushtarak i Partisë së Punëtorëve, duke konfirmuar se dërgimi i trupave ishte bërë në bazë të traktatit të mbrojtjes reciproke mes Phenianit dhe Moskës.

Sipas deklaratës të publikuar nga mediat shtetërore, udhëheqësi Kim Jong-un përshëndeti ushtarët si “heronj” dhe “përfaqësues të nderit të atdheut”, duke theksuar se vendimi i tyre ka dhënë një “kontribut të rëndësishëm” në çlirimin e territoreve ruse të pushtuara nga Ukraina.

Lajmi vjen pasi Rusia njoftoi të shtunën se kishte rimarrë plotësisht kontrollin në rajonin e Kurskut, i humbur përkohësisht gjatë një inkursioni të papritur ukrainas. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse, Valery Gerasimov, konfirmoi gjithashtu se trupat e Koresë së Veriut luftuan përkrah ushtarëve rusë në atë zonë, duke vlerësuar profesionalizmin dhe heroizmin e tyre në betejë.

Që nga vjeshta e kaluar, Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kishin akuzuar Korenë e Veriut për dislokimin e 10,000 deri në 12,000 trupave në Rusi, akuzë të cilës Moska dhe Pheniani deri më tani i ishin përgjigjur në mënyrë të paqartë, duke mohuar përfshirjen direkte në luftime dhe duke theksuar vetëm bashkëpunimin ushtarak në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Pranimi i drejtpërdrejtë nga Pheniani shënon një zhvillim të ri dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet ushtarake midis dy vendeve dhe rrit shqetësimet ndërkombëtare për përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco