Papa Françesku, u përcoll të shtunën (26 prill) për në banesën e fundit në kishën e shenjtë Santa Maria Maggiore në Romë.
Ndryshe nga paraardhësit e tij, të cilët zakonisht prehen në Bazilikën e Shën Pjetrit brenda Vatikanit, Papa Françesku zgjodhi një vend më modest, duke qëndruar besnik ndaj frymës së përulësisë që e karakterizoi gjithë jetën e tij
Në varrin e tij prej guri, ndriçuar nga një spot i vetëm, qëndron një trëndafil i bardhë – simbol i përkushtimit të tij ndaj Virgjëreshës Mari, të cilës i është kushtuar kjo bazilikë.
Syri Tv sjell video të varri në Bazilikën e Santa Maria Maggiore që sot është hapur për besimtarët qe duan ta vizitojnë.
E teksa bota i dha lamtumirë një Pape që do njihet si Papa i të varfërve, Vatikani po bëhet gati për të zgjedhur pasardhësin e tij.
Konklava për zgjedhjen e Papës së ri pritet të nisë 15 deri në 20 ditë pas vdekjes së Papa Françeskut. Ky proces solemn përfshin traditë të lashtë, ritual fetar dhe dimensione politike, me 135 kardinalë nën moshën 80 vjeç që marrin pjesë në votim. Ata mblidhen në Kapelën Sistine në Vatikan për të diskutuar dhe votuar në mënyrë të fshehtë. Përzgjedhja përfundimtare kërkon një shumicë prej dy të tretave të votave. Deri atëherë, bota Katolike mbetet në pritje për të njohur udhëheqësin e ri të mbi 1.4 miliard besimtarëve.
© SYRI.net