Një letër e shkruar nga një pasagjer i Titanikut disa ditë para mbytjes së anijes është shitur për një shifër rekord prej 400,000 $ (300,000 £) në një ankand në Mbretërinë e Bashkuar.
Letra e kolonelit Archibald Gracie u ble nga një blerës anonim në shtëpinë e ankandeve Henry Aldridge and Son në Wiltshire, të dielën, me një çmim pesë herë më të lartë se sa pritej fillimisht (60,000 £).
Letra është përshkruar si "profetike", pasi pasagjeri i klasit të parë Gracie i shkruante një të njohuri "Është një anije e mirë, por unë do të pres fundin e udhëtimeve të mia përpara se të gjykoj për të”, shkruan BBC.
Letra mban datën 10 prill 1912, ditën kur ai hipi në Titanic në Southampton, pesë ditë përpara se anija të mbytej pas përplasjes me një ajsberg në Oqeanin Atlantik Verior duke shkaktuar vdekjen e 1500 personave.
Letra kishte vulën e postës në Queenstown, Irlandë, një nga dy ndalesat që Titaniku bëri para fundosjes.
Gracie, i cili u hodh nga anija dhe arriti të hipte në një varkë të përmbysur, u shpëtua nga pasagjerë të tjerë në një varkë shpëtimi. Ai vazhdoi të shkruante “E vërteta për Titanikun”, një rrëfim i përvojave të tij, kur u kthye në qytetin e Nju Jorkut.
Libri i tij shihet si një nga rrëfimet më të detajuara të ngjarjeve të natës kur anija u mbyt. Gracie nuk u shërua plotësisht nga hipotermia dhe vdiq nga ndërlikimet e diabeti në fund të vitit 1912.
© SYRI.net