Gjykata e Beratit ka dënuar me 3 vite e 6 muaj burg Armando Kumarakun dhe me 2 vjet e 3 muaj burg Natasha Rombula, pasi shfrytëzuan djalin e mitur për para në TikTok. Seancën e zhvilluar këtë të martë, ku ishin të pranishëm gjyshi dhe babai I të miturit, u caktua që të atit, ti hiqet e drejta e prindërimit.
Ngjarja e bujshme, tronditi mbarë opinionin publik vitin e kaluar, pasi gjyshja dhe babai shfrytëzonin për muaj me radhë nipin 10-vjeç në TikTok, duke përfituar vlera monetare.
Hetimet
Sipas prokurorisë, gjyshja dhe babai shfrytëzonin djalin e mitur të Armandos, 10-vjeç, për arsye përfitimi, duke e mësuar të shante dhe fyente me fjalë të rënda në rrjetin social me qëllim që të rrisnin shikueshmërinë e videove të tyre.
Si pasojë e ngjarjeve traumatike, prokuroria vlerësoi se “të pandehurit kanë ndikuar në cilësinë e jetës së të miturit duke mos e lejuar të ketë një qetësi shpirtërore, të ndihet i pambrojtur dhe i bullizuar, duke pasur frikëra të vazhdueshme”.
Sipas organit të akuzës i mituri ka pranuar se babai e kërcënonte me thikë që të dilte në TikTok dhe të përdorte fjalë fyese.
Prokuroria vlerësoi se dhënia e purove dhe pjeve alkoolike fëmijës së mitur nga dy të pandehurit, qartësisht rezulton se ndaj tij është ushtruar keqtrajtim fizik dhe psikologjik dhe është detyruar për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe fizik.
“Të pandehurit kanë detyruar shtetasin e mitur A. K., të bëjë video dhe të dalë në rrjetin social “Tiktok” duke përdorur fjalë banale dhe fyese tepër të rënda edhe për persona të rritur jo më për moshën që ka viktima e veprës penale, duke e rënduar emocionalisht këtë të fundit me anë të kërcënimeve të bëra nga dy të pandehurit. Nga administrimi i pamjeve filmike shfaqen video, ku djali i mitur ka përdorur sjellje dhe fjalor të papërshtatshëm i nxitur nga të pandehurit babai dhe gjyshja.
Shtetasi A.K. ka deklaruar se shpesh herë ka pasur kërcënime fizike dhe psikologjike kur dilte në “Tik Tok” dhe babai i tij e kërcënonte gjatë gjithë kohës me thikë që ai të shfaqej në rrjetet sociale edhe pse ai shprehej se nuk kishte dëshirë edhe një pjesë të fjalorit që ai përdorte në këtë rrjet nuk ja dinte kuptimin dhe deklaron se e mësonte babai në prezencë të gjyshes. Dhënia e thikës të miturit me gjatësi 25 cm duke ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme, duke e ofenduar në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur me një fjalor shumë të rëndë ndaj tij dhe nënës së tij si dhe me goditje fizike kanë shkaktuar pasoja tek i mituri”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria e Beratit nënvizon se ka prova të mjaftueshme në mbështetje të akuzës për faktin penal të “Keqtrajtimi i të miturit” e kryer në bashkëpunim.
© SYRI.net