'E tmerrshme, krim lufte'/ Trump dhe Merz reagojnë për sulmin e përgjakshëm rus në Sumy që la 34 të vdekur, përfshirë dy fëmijë

'E tmerrshme, krim lufte'/ Trump dhe Merz reagojnë për sulmin e përgjakshëm rus në Sumy që la 34 të vdekur, përfshirë dy fëmijë

07:25, 14/04/2025

Një sulm shkatërrues me raketa ruse në qytetin ukrainas të Sumy ka lënë pas 34 viktima, mes tyre dy fëmijë, dhe ka plagosur 117 persona të tjerë. Dy raketa balistike goditën qendrën e qytetit në mesditë të së dielës, pranë universitetit shtetëror dhe qendrës së kongresit, duke shkaktuar një skenë tmerri me trupa të gjakosur të shpërndarë në rrugë.

Sulmi ka shkaktuar reagime të ashpra nga aleatët perëndimorë të Kievit. Presidenti amerikan Donald Trump e quajti ngjarjen një “gjë të tmerrshme” dhe theksoi se “i ishte thënë se ata bënë një gabim”, pa dhënë më shumë detaje. Ndërkohë, i dërguari i tij i posaçëm për Ukrainën, gjenerali Keith Kellogg, tha se sulmi kishte kaluar “çdo vijë të mirësjelljes”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Trumpit të vizitojë Ukrainën për të parë me sytë e tij shkatërrimin që ka shkaktuar pushtimi rus. “Ejani të shihni njerëzit, civilët, fëmijët, spitalet e shkatërruara”, tha Zelensky për programin “60 Minuta” të CBS.

Reagime të forta erdhën edhe nga liderët evropianë. Kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz, e cilësoi sulmin si një “krim të rëndë lufte”, ndërsa kancelari në largim Olaf Scholz tha se ngjarja tregoi sa pak vlente gatishmëria e Rusisë për paqe. Presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi Moskën për “mospërfillje të hapur të jetëve njerëzore dhe ligjit ndërkombëtar”, ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e quajti sulmin “barbar” dhe kërkoi masa të forta për një armëpushim të menjëhershëm.

Edhe kryeministri britanik Sir Keir Starmer u shpreh i tmerruar nga ajo që ndodhi në Sumy, duke dënuar sulmet ndaj civilëve si të papranueshme dhe brutale. Rusia nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për sulmin, ndërsa forcat e saj pranë kufirit thuhet se po përgatiten për një ofensivë të re.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco