Zuckerberg blen një vilë 23 milionë dollarëshe në Uashington për të qenë më afër Trump-it

Zuckerberg blen një vilë 23 milionë dollarëshe në Uashington për të qenë më afër Trump-it

23:23, 04/04/2025

Mark Zuckerberg ka blerë një megavilë prej 23 milionë dollarësh në Uashington me para në dorë, si pjesë e përpjekjeve të tij për t’u afruar me Donald Trump-in.

 

Shefi i kompanisë Meta bleu pronën prej 15,000 metrash katrorë në pjesën veriperëndimore të qytetit përmes një marrëveshjeje shumë sekrete, ku agjentët e pasurive të paluajtshme raportohet se janë detyruar të nënshkruajnë marrëveshje konfidencialiteti.

Prona, e cila ndodhet pranë pikave të njohura të DC-së si Katedralja e Uashingtonit dhe Observatori Detar, është shitja e tretë më e shtrenjtë që është bërë ndonjëherë në këtë distrikt.

Afërsia me Shtëpinë e Bardhë duket se ka qenë faktori kryesor për Zuckerberg-un, i cili ka bërë përpjekje të mëdha për t’u afruar me Trump-in që kur ky i fundit fitoi zgjedhjet në nëntor.

Një zëdhënës i Meta-s konfirmoi në një deklaratë se Zuckerberg dhe bashkëshortja e tij Priscilla janë blerësit e kësaj shtëpie, e cila duket si një “ambasadë private” për shkak të përmasave të saj.

Zëdhënësi tha: “Mark dhe Priscilla kanë blerë një shtëpi në DC, gjë që do t’i mundësojë Mark-ut të kalojë më shumë kohë atje, ndërkohë që Meta vazhdon punën mbi çështje politike të lidhura me udhëheqjen teknologjike amerikane.”

Duke qenë se Zuckerberg do të qëndrojë më shpesh në DC, një shtëpi private është më e sigurt dhe më e përshtatshme, tha Meta.

Zuckerberg ka shtëpi në Palo Alto të Kalifornisë, afër zyrave të Meta-s, si dhe në Hawaii, dhe ekspertët thonë se shtesa më e fundit ka të bëjë kryesisht me vendndodhjen.

Kohët e fundit, Zuckerberg hoqi kontrollin e fakteve në Facebook dhe Instagram, një vendim që entuziazmoi mbështetësit e presidentit.

Të mërkurën, themeluesi i Facebook-ut u takua me presidentin për t’i kërkuar që të zgjidhë një padi të madhe antitrust kundër Meta-s, e cila pritet të nisë më 14 prill.

Tom Daley, një agjent pasurish të paluajtshme për segmentin e lartë në Uashington, i tha Politico-s, që e zbuloi i pari blerjen, se lëvizja e Zuckerberg-ut lidhet me “afërsinë dhe praninë këtu”.

“Është nderimi përfundimtar ndaj shefit të Shtëpisë së Bardhë. Për mua, ngjan pak me kohën kur hotel Trump ishte hotel Trump. Ai i vëren kush është aty. Është një mënyrë e lehtë për të thënë: ‘Ej, jemi me ty. Ja ku jemi.’ Jam i sigurt që ai e merr sinjë nder të madh,” tha Daley.

Prona ndodhet në në lagjen Massachusetts Avenue Heights, dhe është e ndarë në tre seksione që lidhen mes tyre përmes “urash” prej xhami të mbyllur.

Shtëpia ka dritare çeliku, mure prej tullash dhe guri gëlqeror, si dhe një sistem HVAC me energji gjeotermale dhe teknologji të tjera për funksionim efikas.

Fotot e postuara në llogarinë në Instagram të arkitektit Robert Gurney tregojnë një dhomë ndenjeje të mbushur me dritë me dritare nga dyshemeja në tavan dhe një verandë me gurë të vegjël dhe pemë.

Me bazë në Uashington, faqja e internetit e zotit Gurney paraqet prona të tjera luksoze që ai ka projektuar me stilin e tij “modern, të përpunuar me kujdes dhe të organizuar me mend”.

Blerja e Zuckerberg-ut vjen nëntë vjet pasi Jeff Bezos, pronari i Amazon-it, pagoi 23 milionë dollarë për një vilë prej 27,000 metrash katrorë në zonën Kalorama të Uashingtonit.

Në vitin 2021, Peter Thiel, miliarderi i teknologjisë dhe mbështetës i Trump-it, pagoi 13 milionë dollarë për një vilë në stilin beaux-arts fare pranë shtëpisë së re të Zuckerberg-ut.

Të tjerë që kanë shpenzuar për shtëpi të shtrenjta në qytet përfshijnë Eric Schmidt, ish-drejtorin ekzekutiv të Google, dhe David Sacks, bashkëthemeluesin e PayPal-it që është tani cari i IA-së dhe kriptomonedhave në administratën Trump.

Agjentët e pasurive të paluajtshme presin që kërkesa të mbetet e lartë, pasi miliarderët e kuptojnë që afërsia me administratën Trump është thelbësore për interesat e tyre. / The Telegraph – Syri.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco