Nga Brukseli në Berlin: Rregullat mbi transparencën dhe etikën e eurodeputetëve

Nga Brukseli në Berlin: Rregullat mbi transparencën dhe etikën e eurodeputetëve

08:38, 02/04/2025

Një hetim i ri për korrupsion të lidhur me kompaninë kineze Huawei, vendimi i gjykatës franceze për ndalimin e Marine Le Pen për përvetësim dhe një propozim hungarez për rregulla më të rrepta transparence për eurodeputetët kanë rikthyer në vëmendje etikën dhe konfliktet e interesit në Parlamentin Europian.
Eurodeputetët ndjekin një Kod Sjelljeje, i cili u përditësua në vitin 2023 për të parandaluar abuzimet dhe për të rritur transparencën. Por si krahasohet ky kod me rregullat në vendet e tjera të BE-së?

Çfarë përmban Kodi i Sjelljes?

Kodi i Sjelljes synon të sigurojë që eurodeputetët të veprojnë me integritet, transparencë dhe ndershmëri, duke shmangur konfliktet e interesit. Ai përfshin:

• Deklarimin e interesave private dhe pasurisë, përfshirë çdo të ardhur shtesë mbi 5,000 euro në vit.

• Regjistrimin e takimeve me lobistë dhe zyrtarë nga brenda ose jashtë BE-së.

• Deklarimin e dhuratave mbi 150 euro, të cilat regjistrohen publikisht.

• Publikimin e udhëtimeve dhe shpenzimeve të mbuluara nga palë të treta.

• Sanksione publike nga Presidentja e Parlamentit për shkelësit e rregullave.

Megjithatë, ndryshe nga disa parlamente kombëtare, eurodeputetët lejohen të mbajnë punë të tjera, një praktikë që ka nxitur kritika nga organizatat e shoqërisë civile.
Si krahasohet me rregullat në vendet e tjera të BE-së?

Në vendet anëtare, transparenca dhe rregullat etike variojnë ndjeshëm:

• Hungaria: Një projektligj i ri kërkon deklarata të detajuara të pasurisë, duke përfshirë edhe anëtarët e familjes, me mundësinë e heqjes së mandatit për shkelësit.

• Spanja: Deputetët duhet të raportojnë takimet me lobistë, por mungesa e një regjistri zyrtar lejon shmangie të rregullave.

• Italia: Ka dy kode sjelljeje, por ai për deputetët nuk është detyrues, duke e bërë më shumë një rekomandim sesa një rregull të zbatueshëm.

• Franca: Një autoritet i pavarur monitoron deklaratat financiare dhe interesat e deputetëve, me dënime deri në 3 vjet burg për deklarime të rreme.

• Gjermania: Ligjet e reja kërkojnë raportimin e aksioneve mbi 5% dhe ndalojnë deputetët të pranojnë pagesa të pashoqëruara me shërbime konkrete, me gjoba deri në gjysmën e pagës për shkelësit.

A mjafton Kodi i Sjelljes për të parandaluar abuzimet?

Ndërsa rregullat e BE-së janë ndër më të rreptat në letër, zbatimi i tyre mbetet një sfidë. Skandalet e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e tyre dhe kanë shtuar presionin për rregulla edhe më të forta, siç është modeli francez i mbikëqyrjes së pavarur apo ligjet më të ashpra të Gjermanisë.
Me debatin që vazhdon, pritet të shihet nëse Parlamenti Evropian do të ndërmarrë hapa të tjerë për të forcuar transparencën dhe besueshmërinë e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco