Tensionet midis Izraelit dhe Libanit janë përshkallëzuar të shtunën, pasi ushtria izraelite kreu sulme ajrore në jug të Libanit si kundërpërgjigje ndaj raketave të lëshuara drejt territorit izraelit. Ky shkëmbim zjarri është më i rëndë që nga arritja e armëpushimit mes palëve.
Më herët, disa raketa u hodhën nga Libani në drejtim të veriut të Izraelit, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e armëpushimit me grupin militant Hezbollah. Ushtria izraelite konfirmoi se disa nga raketat kishin në shënjestër qytetin izraelit të Metula dhe paralajmëroi një përgjigje të ashpër.
Që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor 2023, Hezbollahu ka kryer sulme të vazhdueshme ndaj Izraelit, ndërsa ushtria izraelite ka ndërmarrë ofensiva ajrore kundër objektivave të grupit militant. Luftimet kanë shkaktuar mbi 4,000 viktima në Liban dhe kanë zhvendosur dhjetëra mijëra njerëz në të dyja anët e kufirit.
Në nëntor, palët arritën një marrëveshje armëpushimi që parashikonte tërheqjen e forcave izraelite nga territori libanez deri në janar, afat që më vonë u zgjat deri më 18 shkurt. Megjithatë, Izraeli ka vijuar të qëndrojë në disa lokacione strategjike në Liban dhe ka kryer sulme ajrore ndaj Hezbollahut, ndërsa Libani i ka bërë thirrje OKB-së të ndërhyjë për të siguruar tërheqjen e plotë izraelite.
Zyra e Kryeministrit të Izraelit konfirmoi se sulmet e së shtunës kishin në shënjestër objektiva të Hezbollahut, duke theksuar se Izraeli do të mbrojë sovranitetin e tij. Ndërkohë, kryeministri libanez Nawaf Salam u bëri thirrje forcave vendase të marrin masat e nevojshme në jug të vendit, duke nënvizuar se Libani nuk dëshiron të rikthehet në luftë.
Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës dhe u bëri thirrje palëve të shmangin një konflikt të ri, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në rajon.
© SYRI.net