Ndërtimi i një programi bërthamor nga e para është një proces kompleks dhe i vështirë, por me ndryshimin e dinamikës globale dhe distancimin e SHBA nga Evropa, ideja po fiton terren sërish.
Kryeministri polak Donald Tusk ka sinjalizuar se vendi i tij duhet të ndjekë zhvillimin e aftësive ushtarake më të avancuara, përfshirë armët bërthamore. “Kjo është një garë serioze – një garë për siguri, jo për luftë,” deklaroi ai në parlamentin polak. Ky qëndrim vjen në një kohë kur Rusia vazhdon të përdorë arsenalin e saj bërthamor si mjet presioni kundër NATO-s dhe BE-së, ndërsa Kina po e zgjeron ndjeshëm kapacitetin e saj bërthamor.
Deri më tani, shumica e shteteve evropiane nuk kanë pasur as infrastrukturën e nevojshme dhe as vullnetin politik për të zhvilluar armë bërthamore të pavarura. Përjashtim të pjesshëm mund të bëjë Gjermania, e cila ka rezerva të uraniumit të pasuruar që teorikisht mund të përdoren për prodhimin e një numri të vogël kokash bërthamore. Megjithatë, ekspertët thonë se edhe ky kapacitet nuk do të ishte i mjaftueshëm për një parandalim efektiv.
Ndërkohë, Britania dhe Franca mbeten dy fuqitë e vetme bërthamore në Evropë. Ndërsa Britania varet nga SHBA për prodhimin dhe mirëmbajtjen e raketave të saj bërthamore, Franca ka një arsenal më të pavarur, i cili mund të shpërndahet edhe në vende të tjera të kontinentit. Kjo ka sjellë diskutime për mundësinë që armët bërthamore franceze të vendosen në Poloni ose në vende të tjera të Evropës Lindore.
Por një gjë është e sigurt: nëse ndonjë vend evropian vendos të zhvillojë armët e veta bërthamore, kjo do të përbënte një thyerje të rëndësishme me dekadat e politikave për mospërhapjen. Ekspertët paralajmërojnë se, edhe pse është e vështirë për një vend të zhvillojë fshehurazi një arsenal bërthamor, teknologjitë e reja – përfshirë printimin 3D – mund ta bëjnë më të lehtë shmangien e kontrolleve ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, mbetet për t’u parë nëse Evropa do të ndërmarrë hapa konkretë për të ndërtuar një parandalim bërthamor të pavarur apo nëse do të vazhdojë të mbështetet në ombrellën bërthamore të SHBA. Sjellja e Uashingtonit dhe Moskës në vitet e ardhshme mund të jetë faktori përcaktues.
© SYRI.net