Sindroma e Çmendjes nga Trump-i mund të njihet si sëmundje mendore

Sindroma e Çmendjes nga Trump-i mund të njihet si sëmundje mendore

13:11, 21/03/2025

Ligjvënësit republikanë në Minesota kanë propozuar një projektligj për të klasifikuar “Sindromën e Çmendjes nga Trump-i” (Trump Derangement Syndrome – TDS) si një çrregullim mendor. Propozimi e përkufizon TDS-në si një gjendje që prek individët që reagojnë në mënyrë irracionale ndaj politikave dhe presidencës së presidentit amerikan Donald Trump.

Termi Sindroma e Çmendjes nga Trump-i është përdorur gjerësisht nga mbështetësit e Trump dhe komentatorët konservatorë për të përshkruar reagimet tepër negative ndaj ish-presidentit republikan.

Projektligji u prezantua të hënën nga pesë ligjvënës të Partisë Republikane, të cilët propozojnë shtimin e TDS-së në listën zyrtare të çrregullimeve mendore në shtetin e Minesotës. Ai përshkruhet si një “shfaqje akute e paranojës tek persona ndryshe normalë, e shkaktuar nga politikat dhe presidencat e Donald J. Trump.”

Teksti i projektligjit pretendon se TDS mund të shfaqet përmes sjelljeve si “armiqësi verbale apo akte agresioni ndaj personave me opinione politike të ndryshme.” Gjithashtu, propozimi sugjeron se individët me këtë sindromë e kanë të vështirë të dallojnë midis mosmarrëveshjeve politike dhe kushteve psikologjike.

Senatori Glenn Gruenhagen, një nga autorët e projektligjit, e mbrojti atë duke argumentuar se sjellja irracionale e disa kritikëve të Trump-it tregon një “problem psikologjik më të thellë”, dhe se qëllimi i ligjit është të trajtojë këtë çështje, jo thjesht mospajtimet politike.

“Ne duhet të jemi në gjendje të kemi debate civile pa reagime të dhunshme dhe të paarsyeshme, siç janë djegia e pikave të shitjes së Teslës, kërcënimi i njerëzve që mbajnë kapele me logon e Trump-it, apo rastet e agresionit rrugor ndaj makinave me adezivin e tij,” shkroi senatori në një postim në Facebook.

Megjithatë, Gruenhagen pranoi se, pavarësisht paraqitjes së tij, projektligji ka pak gjasa të miratohet, duke qenë se demokratët mbajnë një shumicë të ngushtë në Senatin e Minesotës. “Sigurisht, ne të gjithë e dimë se demokratët dhe guvernatori Walz nuk do ta lejojnë këtë projektligj të kalojë, kështu që merrni frymë thellë dhe qetësohuni,” shkroi ai, duke iu referuar reagimeve të ashpra që ka shkaktuar projektligji në Kapitolin e Minesotës.

Kritikët e termit TDS argumentojnë se ai është një mjet retorik për të diskredituar kritikët legjitimë të Trump-it dhe politikave të tij. Disa kanë vënë në dukje se etiketa mund të aplikohet gjithashtu edhe për mbështetësit e Trump, të cilët shpesh reagojnë në mënyrë agresive ndaj kundërshtarëve të tij. / Economic Times - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco