Gazetari Sokol Brahaj, në një lidhje ‘Skype’ për edicionin informativ në 'Syri Televizion', komentoi arrestimin e liderit të opozitës në Turqi, duke u ndalur veçanërisht te rasti i Ekrem İmamoğlu, kryetarit të Bashkisë së Stambollit.
Ai theksoi se kjo ngjarje është një reflektim i situatës politike të tensionuar në Turqi, ku qeveria e Presidentit Erdogan po përballet me një opozitë gjithnjë e më të fuqishme.
Brahaj komentoi mënyrën se si qeveria turke po përdor metoda autoritare për të frenuar opozitën dhe për të mbajtur nën kontroll situatën politike dhe sociale në vend.
Në lidhje me arrestimin e Ekrem İmamoğlu, gazetari pohoi se ky akt është një vazhdim i shtypjes ndaj çdo opozitari që mund të përballet me regjimin aktual.
Ai e lidh këtë veprim me përpjekjet e qeverisë për të larguar vëmendjen nga problemet ekonomike që po godasin Turqinë, si inflacioni i lartë dhe rritja e çmimeve.
Sipas Brahajt, arrestimet e tilla janë një përpjekje për të mbajtur pushtetin, duke përdorur shtypjen dhe intimidimin, ndërsa ai vuri në dukje se vendi është përballur me një rënie të monedhës, çka ka shtuar edhe më shumë tensionet sociale dhe ekonomike.
Deklarata e tij:
"Autokratët kudo qofshin, në botën moderne ose në vende jo moderne, qoftë kjo në Turqi, kanë të njëjtën metodë, duke bërë të pamundur dhe duke përdorur linjat e të gjitha strukturave shtetërore për të mposhtur opozitën.
Kjo duket mjaft qartë në Turqi dhe nëse e shohim në realitetin turk, duhet të themi se ky shtet ka probleme të mëdha ekonomike dhe që Erdogani me qeverinë e tij nuk po i jepin drejtim, dhe duhet të krijojnë ngjarje të tjera për të humbur vëmendjen nga realiteti, inflacioni apo rritja e çmimeve pasi shteti tashmë nuk po i kontrollon më dhe çdo kush vendos çmime sipas dëshirës.
Nëse diçka duhet theksuar është se lira turke nga mbrëmja e djeshme në orët e pasdites ku ishte anuluar diploma e universitetit të Ekrem İmamoğlu, ka qenë 39 lira për një euro, ndërsa sot është 44 lira/ 1 euro. Pra ka humbur një përqindje të madhe edhe monedha e vendit dhe këtë gjë e bëjnë regjimet autoritare.
Në fakt, opozita turke luftohet nga qeveria, jo vetëm dje dhe sot, por ka kohë që ajo po sulmohet, që në marsin e kaluar kur qeveria humbi bashkitë kryesore të Turqisë, presioni ndaj opozitës është rritur.
Duke thënë edhe këtë, brenda opozitës ka një opozitë në parlamentin turk, ku ata edhe fajësojnë kryetarin e opozitës turke dhe i thonë se të gjitha bashkitë që na i dha sovrani, ti nuk po i ruan".
© SYRI.net