SHBA dhe Izraeli kanë kontaktuar zyrtarë të tre qeverive të Afrikës Lindore për të diskutuar mundësinë e përdorimit të territoreve të tyre, si destinacione potenciale për vendosjen e palestinezëve të zhvendosur nga Rripi i Gazës, sipas planit të propozuar nga Presidenti Donald Trump pas luftës, thonë zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.
Kontakti me Sudanin, Somalinë dhe rajonin e ndarë të Somalisë, i njohur si Somaliland, pasqyron vendosmërinë e SHBA dhe Izraelit, për të vazhduar me një plan që është kritikuar gjerësisht dhe ka ngritur çështje serioze ligjore dhe morale. Pasi të treja këto vende janë të varfra dhe, në disa raste, të trazuara nga dhuna, propozimi hedh dyshime mbi qëllimin e shpallur të Trump, për të vendosur palestinezët e Gazës në një “zonë të bukur.”
Zyrtarët nga Sudani thanë se kanë refuzuar ofertat nga SHBA, ndërsa zyrtarë nga Somalia dhe Somaliland thanë për Agjencinë e Lajmeve të Associated Press se nuk ishin të informuar për ndonjë kontakt.
Sipas planit të Trump, mbi 2 milionë njerëz nga Gaza do të dërgoheshin përgjithmonë në vende të tjera. Ai ka propozuar që SHBA të merrte pronësinë e territorit, të mbikëqyrte një proces pastrimi të gjatë dhe ta zhvillonte atë, si një projekt pasurie të paluajtshme.
Plani i Trampit dhe kundërshtimet
Idetë për një transferim masiv të palestinezëve dikur ishin konsideruar një fantazi e grupeve ultranacionaliste izraelite. Por, që nga momenti kur Trump e paraqiti këtë ide në një takim në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, Kryeministri Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshëndetur atë si një "vizion guximtar".
Palestinezët në Gaza kanë refuzuar propozimin dhe hedhin poshtë pretendimet izraelite se largimi do të ishte vullnetar. Kombet arabe kanë shprehur kundërshtim të fortë dhe kanë ofruar një plan alternativ rindërtimi, që do t’i lërë palestinezët në tokën e tyre. Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se detyrimi ose presioni për të larguar palestinezët, mund të përbënte një krim lufte.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se Trump "qëndron pas vizionit të tij."
Kontakte të ndara
Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë konfirmuan kontaktet me Somalinë dhe Somalilandin, ndërsa amerikanët po ashtu konfirmuan kontaktet me Sudanin. Ata thanë se nuk ishte e qartë, se sa përpara kanë shkuar përpjekjet apo në cilin nivel janë zhvilluar diskutimet.
Përpjekjet e veçanta nga SHBA dhe Izraeli për të kontaktuar këto tre destinacione të mundshme filluan muajin e kaluar, disa ditë pasi Trump paraqiti planin për Gazën krahas Netanyahu, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët thanë se Izraeli po merrte drejtimin e diskutimeve.
Izraeli dhe SHBA kanë një gamë të ndryshme incentiva — financiare, diplomatike dhe të sigurisë — që mund të ofrojnë këtyre partnerëve të mundshëm. Ky është një model që Trump përdori pesë vjet më parë kur ndërmjetësoi Marrëveshjet e Abrahamit — një seri marrëveshjesh diplomatike të dobishme reciprokisht mes Izraelit dhe katër shteteve arabe.
Përpjekjet për të kontaktuar vendet e mundshme
Sudani
Vendi në Afrikën e Veriut ishte ndër katër shtetet e Marrëveshjeve të Abrahamit, që ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në vitin 2020. Pjesë e marrëveshjes ishte heqja e Sudanit nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin nga SHBA, një veprim që i dha mundësinë vendit për të marrë kredi ndërkombëtare dhe legjitimitet global. Megjithatë, marrëdhëniet me Izraelin nuk morën hov, pasi Sudani shpërtheu në një luftë civile mes forcave të qeverisë dhe grupit paramilitar RSF.
Somaliland
Somaliland, një territor me mbi 3 milionë njerëz në Shënjën e Afrikës, shpalli pavarësinë nga Somalia mbi 30 vjet më parë, por nuk është njohur ndërkombëtarisht si një shtet i pavarur. Somalia e konsideron Somalilandin, pjesë të territorit të saj. Presidenti i ri i Somaliland, Abdirahman Mohamed Abdullahi, ka bërë njohjen ndërkombëtare një prioritet.
Somalia
Somalia ka mbështetur fort palestinezët, shpesh duke mbajtur protesta paqësore në rrugët e saj për t’i mbështetur ata. Vendi ishte pjesë e samitit arab që hodhi poshtë planin e Trump dhe duket si një destinacion i papërshtatshëm për palestinezët, edhe nëse ata do të pajtoheshin të lëvizin./ AP.
© SYRI.net