Diego Armando Maradona vdiq nga një infarkt në shtëpinë e tij, në Buenos Aires, më 25 nëntor 2020, në moshën 60 vjeçare. Raporti i autopsisë zbuloi gjithashtu se kampioni i botës në vitin 1986 kishte pasur "edemë pulmonare akute nga një insuficencë kronike e zemrës".
Megjithatë, në maj 2021, një ekspertizë e urdhëruar nga drejtësia argjentinase vlerësoi se Maradona ishte "lënë në fatin e tij" nga ekipi mjekësor, trajtimi i të cilit ishte "i papërshtatshëm, i pamjaftueshëm", duke çuar në agoninë e tij të ngadalshme.
Për këtë arsye, janë hetuar tetë persona dhe procesi për shtatë prej tyre fillon zyrtarisht sot. Gjykata e San Isidros do të duhet të vendosë nëse Maradonës iu bënë trajtimet e nevojshme dhe nëse u bë gjithçka e mundur për ta shpëtuar atë. Do të jenë gjykatësit Verónica Di Tommaso, Maximiliano Savarino dhe Julieta Mackintach ata që do të vendosin nëse të akuzuarit janë përgjegjës për vrasje apo nëse nuk ka pasur përgjegjësi. Nëse shpallen fajtorë, mjekët dhe infermierët që kujdesën për ‘El Diez’ mund të dënohen me burgim nga tetë deri në 25 vjet.
Të akuzuarit më të rëndësishëm janë mjekët Leopoldo Luque dhe Agustina Cosachov dhe psikologu Carlos Díaz. Mbrojtja do të thotë se është bërë gjithçka që ishte njerëzisht e mundur për ta larguar Maradonën nga varësitë e tij dhe për ta trajtuar atë nga sëmundjet e tij të ndryshme, por ai ishte krejtësisht i pamenaxhueshëm. Dhe pasi Maradona vdiq nga një infarkt dhe nuk kishte pasur probleme të mëparshme me zemrën, kjo është një ngjarje "e papritur".
Do të ketë rreth 2-3 seanca në javë dhe për shkak të numrit të dëshmitarëve, procesi do të zgjasë rreth katër ose pesë muaj. Parashikohet që verdikti të shpallet deri në fund të korrikut; vetëm atëherë Maradona mund të pushojë në paqe.
© SYRI.net