Mes akuzave për korrupsion, Netanyahu përballet me drejtësinë

Mes akuzave për korrupsion, Netanyahu përballet me drejtësinë

13:21, 04/03/2025

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u paraqit për herë të 14-të në gjykatë të martën, duke u përpjekur të rrëzojë akuzat për korrupsion në një proces gjyqësor që ka zgjatur për pesë vjet.

Ai është lideri i parë izraelit që merret në pyetje si i pandehur në një gjyq penal, i cili filloi në maj 2020, por u vonua për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Netanyahut i janë ngritur tre akuza për korrupsion që përfshijnë mashtrim, ryshfet dhe shkelje të besimit, të cilat datojnë që nga viti 2019.

Ndër akuzat kryesore, ai dyshohet se ka pranuar dhurata luksoze nga një miliarder hollivudian në këmbim të favoreve personale dhe biznesore. Prokurorët pretendojnë gjithashtu se ai ka ndikuar në mbulimin mediatik të tij duke i dhënë favore rregullatore një kompanie telekomunikacioni dhe duke negociuar një marrëveshje me një botues të madh izraelit.

Netanyahu i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si një “gjueti shtrigash” të orkestruar nga kundërshtarët politikë dhe mediat. Megjithatë, nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me deri në 10 vjet burg për ryshfet dhe deri në tre vjet për mashtrim e shkelje të besimit.

Ndërkohë, procesi gjyqësor pritet të zgjasë të paktën edhe tetë muaj vetëm për dëshminë e tij. Gjyqi rifilloi në dhjetor, pas një ndërprerjeje për shkak të luftës në Gaza, ndërsa Netanyahu vazhdon të përballet me sfida ligjore dhe politike në vendin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco