OKB: Edhe 1-vjeçarët janë në mesin e të përdhunuarve gjatë luftës civile në Sudan

OKB: Edhe 1-vjeçarët janë në mesin e të përdhunuarve gjatë luftës civile në Sudan

09:38, 04/03/2025

Paralajmërim: Ky artikull përmban detaje të dhunës seksuale që disa njerëzve mund t'u duken shqetësuese

Burra të armatosur po përdhunojnë dhe sulmojnë seksualisht fëmijët, madje edhe ata të moshës një vjeçare, gjatë luftës civile në Sudan, sipas një raporti tronditës të Unicef-it. Dhuna seksuale masive është dokumentuar si një armë lufte në konfliktin dyvjeçar të vendit, por ky është raporti i parë i detajuar mbi ndikimin e saj te fëmijët e vegjël.

Të dhënat tregojnë se një e treta e viktimave janë djem, të cilët përballen me vështirësi të mëdha për të raportuar abuzimin dhe për të kërkuar ndihmë. Sipas Unicef-it, janë raportuar 221 raste përdhunimesh ndaj fëmijëve vetëm këtë vit, por numri i vërtetë pritet të jetë shumë më i lartë. Shumë viktima dhe familjet e tyre heshtin për shkak të frikës dhe stigmës shoqërore.

"Shkalla e madhe e dhunës seksuale që kemi dokumentuar në Sudan është tronditëse," tha Mohamed Chande Othman, kryetar i misionit të OKB-së për gjetjen e fakteve kur raporti i tij i mëparshëm u publikua në tetor.

Detaje rrëqethëse në raportin e Unicef-it nënvizojnë situatën e rëndë.

"Pas nëntë të natës, dikush hap derën, duke mbajtur një kamxhik, zgjedh një nga vajzat dhe e çon në një dhomë tjetër. Mund ta dëgjoja vajzën e vogël duke qarë dhe duke bërtitur. Ata po e përdhunonin", kujton Omnia (jo emri i saj i vërtetë), një e mbijetuar femër e rritur që u mbajt nga burra të armatosur në një dhomë me gra dhe vajza të tjera.

"Sa herë që e përdhunonin, kjo vajzë kthehej e mbuluar në gjak. Ajo është ende një fëmijë i vogël. Këto vajza i lëshojnë vetëm në agim dhe kthehen pothuajse pa ndjenja. Secila prej tyre qan dhe flet në mënyrë jo koherente. Gjatë 19 ditëve që kalova atje, arrita në një pikë ku doja t'i jepja fund jetës".

Një nga zbulimet më tronditëse të raportit është se 16 nga viktimat ishin nën moshën pesë vjeç, përfshirë katër foshnja. Ndërkohë që Unicef nuk specifikon kush është përgjegjës, hetimet e mëparshme të OKB-së kanë identifikuar Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) si autorët kryesorë të dhunës seksuale, duke e përdorur atë si mjet terrori ndaj civilëve. RSF ka mohuar akuzat.

Situata humanitare në Sudan po përkeqësohet, ndërsa ndihmat ndërkombëtare janë të pafinancuara dhe shkurtimet e ndihmave amerikane mund ta rëndojnë edhe më tej krizën. Raporti përfshin dëshmi rrëqethëse nga të mbijetuarit, të cilët përshkruajnë mizori të paimagjinueshme. OKB paralajmëron se dhuna seksuale është bërë një armë sistematike në këtë luftë, duke lënë pasoja të rënda te mijëra gra dhe fëmijë sudanezë./ BBC - Syri.Net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco