Gjatë debatit në Zyrën Ovale të premten, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance e akuzoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se ka bërë fushatë për të majtët në SHBA gjatë garës presidenciale të vitit 2024.
JD Vance përmendi konkretisht vizitën e presidentit ukrainas në Pensilvani vitin e kaluar.
“Ju keni shkuar në Pensilvani dhe keni bërë fushatë për opozitën në tetor,” tha JD Vance.
Më konkretisht bëhet fjalë për një vizitë të presidentit ukrainas në një fabrikë municionesh në Pensilvani, në një shtet që ishte kthyer në fushë beteje për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Trump fitoi ngushtë në këtë shtet.
“E fillova vizitën time në Shtetet e Bashkuara duke u shprehur mirënjohjen time të gjithë punonjësve në fabrikë dhe duke arritur një marrëveshje për të zgjeruar bashkëpunimin midis Pensilvanisë dhe Zaporizhias sonë”, shkroi Zelensky në një postim për X në atë kohë. "Në vende si ky mund të ndjesh vërtet se bota demokratike mund të mbizotërojë. Këta njerëz- në Ukrainë, në Amerikë dhe në të gjitha vendet partnere - punojnë pa u lodhur për të siguruar që jeta të mbrohet”.
Edhe pse vizita nuk u faturua si një aktivitet fushate, republikanët deklaruan se ajo ishte pjesë e fushatës, duke argumentuar se ishte e papërshtatshme që një udhëheqës i huaj të merrte pjesë në një ngjarje politike vetëm disa javë përpara zgjedhjeve vendimtare.
Kjo nxiti hetime nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nëse vizita e Zelensky-t ishte një përdorim i papërshtatshëm i dollarëve të taksapaguesve.
“Komiteti është duke hetuar çdo koordinim apo komunikim mes administratës Biden-Harris, zyrës së Guvernatorit të Pensilvanisë dhe presidentit Zelensky për përdorimin e pronës qeveritare për të përfituar politikisht gjatë fushatës presidenciale të zëvendëspresidentes Harris", shkroi në një letër kongresmeni James Comer, një republikan nga Kentaki, i cili drejton Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve.
Senatori republikan Eric Schmitt, nga Misuri, shkroi në X në atë kohë se Zelensky "po bënte fushatë për demokratët në fushëbetejën e Pensilvanisë sot, rreth 50 ditë pas zgjedhjeve tona presidenciale".
© SYRI.net