Ish-deputeti laburist britanik, Mike Amesbury, është dënuar me 10 javë burg pasi goditi një burrë në rrugë në zonën e tij elektorale vitin e kaluar. Gjykata refuzoi kërkesën e tij për lirimin me kusht, duke e dërguar menjëherë në burgun HMP Altcourse në Liverpool, ku do të vuajë të paktën 40% të dënimit.
Sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit më 26 tetor, kur Amesbury u përball me një zgjedhës, Paul Fellows, pranë një pike taksie në Frodsham, Cheshire. Pasi Fellows u ankua për një mbyllje lokale të urës, debati mes tyre eskaloi dhe ish-deputeti e sulmoi fizikisht, duke vazhduar goditjet edhe pasi viktima ra në tokë. Pamjet e CCTV treguan Amesbury-n duke thënë: “Nuk do ta kërcënoni më deputetin tuaj, apo jo?”
Në seancën e dënimit, nënkryetari i magjistraturës Tan Ikram theksoi se një dënim me burg ishte i domosdoshëm si ndëshkim dhe paralajmërim. “Pozicioni juaj si deputet duhej të ishte një model për të tjerët,” i tha ai Amesbury-t.
Pas shpërndarjes së pamjeve të incidentit në tetor, Partia Laburiste e pezulloi atë dhe e quajti sjelljen e tij “plotësisht të papranueshme”. Në një deklaratë të hënën, laburistët shprehën mbështetje për zgjedhësit në zonën e prekur dhe kërkuan që ata të marrin përfaqësimin e duhur.
Dënimi i Amesbury rrit gjasat për zgjedhje të pjesshme në zonën e tij, Runcorn dhe Helsby. Nëse ai jep dorëheqjen ose më shumë se 10% e zgjedhësve nënshkruajnë një peticion tërheqjeje, vendi i tij në parlament mund të shpallet vakant.
Ndërkohë, partia e djathtë Reforma në Mbretërinë e Bashkuar, e cila doli e dyta në zgjedhjet e fundit në këtë zonë, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Amesbury-t për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja. “Njerëzit e Runcorn-it meritojnë më mirë,” tha kreu i partisë, Zia Yusuf.
© SYRI.net