Temperaturat e larta, AME me apel për qytetarët: Të jeni të kujdesshëm në shmangien e shkaktarëve të zjarrit

Temperaturat e larta, AME me apel për qytetarët: Të jeni të kujdesshëm në shmangien e shkaktarëve të zjarrit

12:48, 18/07/2023

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), iu është drejtuar qytetarëve me apel për aktivizëm në parandalimin e zjarrvënieve në pyje dhe hapësira tjera, publike dhe private.

Sipas një komunikate për media, sezoni i verës karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura.

Andaj, AME-ja ka apeluar te qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë në shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent, si dhe të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit kudo që ai mund të paraqitet.

Kjo thuhet se përveç tjerash obligohet nga Kushtetuta e Kosovës si dhe aktet tjera ligjore e nënligjore.

“Të nderuar qytetarë, meqenëse kemi hyrë në sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore e me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit,

APELOJMË, të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore”, thuhet në apelin e agjencisë.

Tutje, AME-ja ka rikujtuar se zjarrvëniet e qëllimta si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale dhe sanksionohen me ligj.

“E rëndësishme, në rast se hasni në ndonjë rast dyshimi për rrezik nga zjarri numrat emergjent në të cilët ju duhet të drejtoheni dhe t’i informoni por edhe ndihmë të kërkoni pa pagesë 24/7 janë: 112 Qendra Operative Emergjente nga VALA dhe IPKO (pa pagesë), 193 zjarrfikësit, 192 Policia dhe 194 Shërbimi Mjekësor Emergjent.

Paralajmërim i hershëm- Veprim i hershëm, shpëton jetë dhe ambientin e përbashkët për të gjithë. Ju ftojmë dhe presim bashkëpunim të ndërsjellë”, bëhet e ditur mes tjerash. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco