Kremlini merr frymë, Kina e ndihmon, paguan gazin në rubla në marrëveshjen e rëndësishme

Kremlini merr frymë, Kina e ndihmon, paguan gazin në rubla në marrëveshjen e rëndësishme

10:11, 07/09/2022

Kremlini mund të marrë frymë, të paktën për momentin. Vendimi për pezullimin pa afat të shpërndarjes së gazit drejt Gjermanisë dhe një pjese të vendeve europiane nga gazsjellësi Nord Stream 1, nuk ka sjellë për pasojë vetëm krizë energjetike për vendet e BE-së, por edhe vështirësi ekonomike për Moskën, që me këto fonde financon edhe fushatën tejet të kushtueshme në Ukrainë.

Megjithatë, një marrëveshje e rëndësishme është firmosur nga presidenti i Gazpromit rus, Alexei Miller, si dhe nga homologu kinez i kompanisë shtetërore CNPC, Dai Houliang. Sipas marrëveshjes, Kian do të paguajë në rubla ose në monedhën kineze, yuan, furnizimet e gazit rus që kalon në gazsjellësin Sila Sibiry (Fuqia e Siberisë) që lidh dy vendet.

Gazsjellësi që është vënë në funksion në vitin 2019, i gjatë 3 mijë kilometra, u cilësua nga Putin si një event historik në marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe për tregun energjetik global. Në prag të pushtimit të Ukrainës, Moska dhe Pekini dakordësuan një shtim me rreth 37 miliardë dollarë të furnizimit fillestar.

Marrëveshja e këtyre orëve përben një sinjal jo vetëm ekonomik, por edhe politik. Kremlini, edhe pse jo zyrtarisht, kishte kritikuar një farë ftohtësie të regjimit kinez ndaj Moskës së izoluar ndërkombëtarisht, por me sa duket gjërat po fillojnë të ngrohen midis liderëve të dy vendeve.

Sinjali i parë i këtij afrimi, ishte stërvitja e madhe e përbashkët midis dy vendeve, përballë brigjeve japoneze, një sinjal ndaj Tajvanit dhe vendeve kufizuese të Kinës në atë rajon, ku Pekini e ka të domosdoshëm partneritetin me Rusinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco