Çfarë i duhet Ukrainës për ta fituar luftën?

Çfarë i duhet Ukrainës për ta fituar luftën?

15:44, 24/08/2022

Në 6 muajt e fundit që kur Rusia e pushtoi Ukrainën, ushtria ukrainase ka shfaqur aftësi mbrojtëse shumë të forta, duke i shkaktuar shumë viktima njësive ushtarake ruse. Përkundër çdo lloj parashikimi, Ukraina arriti që ta mbrojë kryeqytetin e saj, Kievin, si dhe qytetin e saj të dytë më të madh, Harkiv.

Kjo gjë e ka detyruar Rusinë të braktisë synimin e saj për pushtimin e shpejtë të vendit fqinj. Megjithatë, shmangia e humbjes nuk është e njëjta gjë me fitoren. Forcat ruse kontrollojnë aktualisht rreth 20 për qind të territorit ukrainas, duke përfshirë pjesë të mëdha në lindje dhe jug.

Po çfarë i duhet Ukrainës për të fituar luftën? Hapi i parë duhet të jetë adresimi i problemit të pabarazisë në fuqinë ajrore. Suksesi në një luftë moderne me intensitet të lartë është pothuajse i pamundur pa të paktën një fare barazie në forcat ajrore. Mjerisht Ukraina e filloi luftën me vetëm 100 avionë luftarakë krahasuar me më shumë se 1500 avionë që kishte Rusia.

Aty ku Rusia kryente 100-200 fluturime në ditë, forcat ajrore shumë më modeste të Ukrainës mund të realizonin rreth 10-20 fluturime. Prandaj Ukraina nuk ka qenë në gjendje të ofrojë mbështetje ajrore për forcat e saj tokësore, nga frika e humbjes së inventarit të saj të vogël të avionëve me performancë të lartë (kryesisht avionët luftarakë MIG-29 dhe SU-27 dhe avionët e sulmit tokësor Su-24 dhe SU-25).

Nga ana tjetër, Ukraina ka qenë shumë e suksesshme në mohimin e supremacisë ajrore të Rusisë, përmes mbrojtjes ajrore jashtëzakonisht efektive dhe përmes një strategjie të “mohimit të epërsisë ajrore”. Edhe pse i mungojnë sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore si amerikanet Patriot apo ruset S-400, përdorimi nga Ukraina i sistemeve të vjetra S-300 (në lartësi të mëdha), SA-11 (në lartësi mesatare) dhe SA-8 (në lartësi të vogla) ka qenë vdekjeprurëse për fuqinë ajrore ruse.

Ndërkohë, SHBA-ja i ka dërguar një numër të vogël të sistemit të saj të mbrojtjes ajrore NASAM me rreze të shkurtër dhe të mesme, ndërsa Gjermania ka premtuar të dërgojë sisteme të mbrojtjes ajrore Gepard, megjithëse mungesat e municioneve e kanë vonuar përdorimin e tyre.

 

Ndërkohë përmes raketave Stinger të dërguara nga SHBA-ja, mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar dhjetëra avionë rusë. Furnizimi i duhur me raketa të mbrojtjes ajrore për sistemet ukrainase është thelbësor, dhe ato duhet të vijnë nga burime të jashtme në sasi të mjaftueshme që Ukraina të ketë epërsi ndaj rusëve.

Nga ana tjetër, ajo ka përdorur dronët me një efektivitet shumë të madh. Dronët ushtarakë kombinohen me mijëra dronë komercialë më të lirë, që përdoren për zbulimin e artilerisë dhe mbledhjen e të dhënave të inteligjencës. Forcat ruse i janë përshtatur situatës, dhe shkalla e humbjes së dronëve ukrainas është e lartë.

Por kostoja e tyre e ulët nënkupton që ato do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm. Kur koordinohen me njësitë e artilerisë aty pranë, dronët mundësojnë shënjestrimin e shpejtë dhe të saktë të objektivave, duke shfrytëzuar maksimalisht burimet e kufizuara të artilerisë ukrainase.


Inovacioni dhe shkathtësia taktike e ukrainasve, e kanë zbehur pjesën më të madhe të dominimit rus në ajër. Por aftësia për të gjeneruar fuqi ajrore sulmuese në formën e mbështetjes së afërt ajrore do të kërkojë më shumë ndihmë që Ukraina të mbizotërojë.

Më herët Polonia dhe vendet e tjera të ish-Traktatit të Varshavës sugjeruan një transferim të avionëve të epokës sovjetike në Ukrainë, por kjo u refuzua nga zyrtarët amerikanë. Nëse NATO është e vendosur që të mos sigurojë mbrojtje ajrore, atëherë është e domosdoshme të pranohet ky propozim, pra që partnerët të lejohen të mbështesin forcën ajrore ukrainase.

Edhe 50 avionë shtesë, me municione dhe pjesët e këmbimi, mund të bëjnë një ndryshim të madh në Ukrainë. Pa forcimin e mbështetjes ajrore, një fitore e Ukrainës mund të jetë ende e mundur, por kjo gjë do të shkaktojë kosto më të larta për forcat tokësore. Po aq e rëndësishme është edhe artileria.

Ukraina e nisi luftën me sasi artilerie modeste dhe të vjetëruar. Kjo gjendje u ndërlikua më tej nga mungesa e municioneve. Me rreth 2000 copë artilerie në krahasim me 500 të Ukrainës, artileria ruse është shumë më e madhe, moderne dhe e fuqishme, dhe me një konsum ditor të mocioneve rreth 10 herë më të madh se ai i Ukrainës.

Ashtu si me mbrojtjen ajrore, Ukraina e ka përdorur me zgjuarsi artilerinë e saj të kufizuar, duke u zhvendosur me shpejtësi pas goditjeve të saj për të shmangur zjarrin e baterive ruse, dhe duke u mbështetur tek dronët për shënjestrimin e saktë. Dërgimi i topave 155 mm nga SHBA dhe i një numri më i vogël sistemesh vetëlëvizëse 155 mm nga Gjermania, Franca dhe vende të tjera, e ka forcuar ndjeshëm numrin e artilerisë që zotëron Ukraina, por avantazhi i Rusisë është ende i madh.

Ndryshuesi i vërtetë i raportit të forcave është sistemet e shumëfishtë të lëshimit M142 HIMARS dhe M270 MLRS. Që të dyja janë me rreze të gjatë veprimi, të sakta, të lëvizshme dhe shumë shkatërruese. Ato pak njësi që janë dërguar deri më sot kanë dhënë rezultate të shkëlqyera në fushën e betejës.

Administrata Biden ka hezituar t’i dërgojë Ukrainës municionet me rreze më të gjatë ATACMS, që mund të godasin objektiva deri në 480 km larg. Për të barazuar raportin e forcave në terren dhe mundësuar një kundërsulm të suksesshëm, Ukrainës i duhen ndoshta rreth 50 apo më shumë sisteme HIMARS ose MLRS, si dhe municionet ATACMS.

Ndërsa Ukraina i ka shkaktuar humbje të mëdha mjeteve të blinduara ruse, numri i saj i tankeve është zvogëluar, gjë që e ka bërë të pamundur përparimin me forcat e rënda. Polonia është zotuar t’i dërgojë 240 tanke kryesore luftarake PT-91 së bashku me një numër të vogël tankesh çekë T-72. Për ta pajisur ushtrinë ukrainase për operacione sulmuese në vitin 2023, SHBA duhet të marrë në konsideratë sigurimin e një numri të ngjashëm tankesh M1A1 nga rezervat e saj të mëdha.

Për ta ndihmuar Ukrainën, NATO duhet të mendojë mbi krijimin e një Misioni Trajnues të NATO-s me bazë në Poloni për të trajnuar trupat ukrainase. Udhëheqësit perëndimorë mund të jenë të sigurt se me suksesin rus në Ukrainë, edhe me kosto shumë të larta, do t’i vendoste në mëshirën e Putinit aleatët e NATO-s siç janë shtetet baltike.

Ngurrimi i SHBA-së dhe evropianëve për të shtuar mbështetjen për Ukrainën vetëm sa do ta siguronte Putinin se Perëndimi i frikësohet konfrontimit direkt, ndaj do të bëjë çdo përpjekje për ta shmangur atë. Perëndimi nuk duhet t’i frikësohet retorikës ruse për përdorimin e armëve bërthamore.

Regjimi i parandalimit bërthamor që është qenë në fuqi që nga vitet 1950, është me siguri mjaft i fortë për të penguar një aventurizëm të tillë. Ukraina mund ta fitojë luftën, por fitorja varet nga mbështetja perëndimore, e cila shkon përtej nivelit aktual.

Marrë me shkurtime

Shënim:Richard D.Hooker Jr., anëtar i Këshillit Atlantik. Më herët ka qenë Dekan i Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s, dhe ndihmës special i presidentit të SHBA-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco