‘Më e mira do të vijë’/ Trump poston videon e fushatës së ardhshme

13:00, 09/08/2022

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, postoi një video me stil fushate në rrjetin e tij social, Truth Social.

Reagimi i tij me këtë video, që duket se paralajmëron kandidimin në zgjedhjet e vitit 2024, erdhi pasi FBI bastisi shtëpinë e ish-presidentit në Florida.

Videoja nis me ngjyrat bardhezi, ndërsa Trump flet për një komb në rënie.

Ai përmend tërheqjen katastrofike nga Afganistani dhe çmimet në qiell të energjisë.

“Ne jemi një komb që kemi lejuar Rusinë të shkatërrojë një vend, Ukrainën, duke vrarë qindra-mijëra njerëz. Ne jemi një komb që kemi përdorur forcat e rendit si armë kundër një partie politike si kurrë më parë”, thuhet në video.

“Ne jemi një komb që kemi lejuar Iranin të prodhojë një armë gjigante bërthamore dhe Kinën që të përdorë trilionat e marra nga SHBA për të ngritur një ushtri që rivalizon tonën”.

Më pas videoja nis të bëhet me ngjyra.

“Nuk ka mal që nuk e ngjisim, nuk ka majë që nuk e arrijmë, nuk ka sfidë që nuk e përballojmë. Ne nuk do përkulemi, nuk do thyhemi, nuk do dorëzohemi,” thotë ish-presidenti.

“Tiranët me të cilët po luftojmë, nuk kanë asnjë mundësi para nesh, sepse ne jemi amerikanë dhe amerikanët i përulen vetëm Zotit dhe para Zotit. Është koha që të fillojmë të flasim përsëri për madhështinë e vendit tonë”.

Videoja mbyllet me fjalët: Më e mira nuk ka ardhur akoma.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco